Nazarko i quan drejtuesit dhe pronarët e këtyre portaleve, gjobaxhinj.
Ai thotë se vërtetë e ka kritikuar Ramën për miratimin e ligjit të mbetjeve, por është i fundit që do ta braktisë kryeministrin.
“Dua të sqaroj diçka që nuk lidhet me milingonat punëtore të portaleve, por me ata që i dirigjojnë duke valëvitur gjobat në hundën e Ramës. Prej tyre ishin vendosur tituj sikur pas Mustafa Nanos dhe unë e kisha sharë atë. Njëlloj si Nano dhe unë do ta kritikoj me forcë Ramën e këdo.
Por kam një bindje absolute. Rama e mori pushtetin kur 60% e pyjeve na kishte lënë shëndenë; kur nuk kishim bujqësi; kur kishim 400 mijë ndërtime pa leje; kur 50% paguhej energjia, kur kishim një rrëmujë të madhe dhe numër komunash sa shtete të mëdha, kur universitetet po shndërroheshin si fabrikat e riciklimit intelektual dhe moral.
Ai e nisi me reformat të vështira, me moratoriumin e pyjeve, të gjuetisë, me reformën territoriale, me prishjen e ndërtimeve pa leje, me detyrimin e dhimbshëm, por të duhur për pagesën e energjisë.
Mund dhe t’i ketë lënë një pjesë të këtyre reformave, në mes. Nëse kritikat do të ishin bërë në këtë drejtim, do të isha i pari që do t’i duartrokisja ato.
Unë do të jem i fundit që do ta braktis Ramën, pse e njoh atë. Kam bindjen absolute se një njeri që drejton shtetin në fund do gjykuar me pyetjet e thjeshta. A e shtoi apo e pakësoi tokën, pyjet dhe ujërat që i lanë të parët. Ata që e qeverisën këtë vend këta njëzet e pesë vjet, le ta pyesin veten për këtë të vërtetë të thjeshtë.
Duke e mbyllur këtë replikë thuajse të detyruar, mund të them edhe diçka. Berisha përmendi diku në Parlament një personazh të famshëm të Viktor Hygoit që përfundon i varur.
Po përmend dhe unë diçka nga Hygoi. Kollosi i madh i Francës dhe i gjithë botës së qytetëruar, duke folur për madhështinë e kanaleve të nëndheshme të Parisit, i shtyn bashkëqytetarët e tij në një iniciativë të çuditshme dhe kjo dyqind vjet më parë.
Merreni plehun e këtyre kanaleve dhe vadisni fushat e Francës. Dhe duke bërë llogari si një financier gjigand, Hygoi e mbaron kështu fjalën e vet:
Muti i Francës është ari i Francës!
Duke e perifrazuar Hygonë, ndryshe nga Berisha do të thosha: Muti i Shqipërisë është ari i Shqipërisë”, shkruan Nazarko për gazetën Panorama.
Diskutime rreth kësaj post