Emri i Eduart Shalsit ishte ndër të parët që u shkruajt në kazanët e plehrave bashkë me atë të Edi Ramës. Dalja në publik në mbrojtje të ligjit për importin e plehrave e vuri Shalsin në qendër të sulmit të opinionit publik, një presion që duket se e ka acaruar dhe nervozuar.
Duket se një pjesë të mirë të fajit ia hedh Ben Blushit, njeriut që dha idenë se emrat e deputetëve duhen shkruar në kazanët e plehrave në çdo lagje dhe qytet të Shqipërisë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Shalsi e përfshin Blushin në grupin e personave që i quajti pehlivanët politikë, pseudopatriotë të pacipë, spekulantë, hipokritë e kukuvajka në kritikat ndaj importit të mbetjeve.
“Në rastin më të mirë është i painformuar dhe komplet i paditur, dhe në rastin më të keq, që është më i mundshmi, po përpiqet më kot të fitojë kapital politik duke u ekzaltuar me temën e plehrave. Është te blloku i dytë i individëve, që përbëhet nga pehlivanët politikë, pseudopatriotë të pacipë, spekulantë, hipokritë e kukuvajka”- tha Shalsi që sqaron se nga momenti i propozimit, i ka ndarë në dy blloqe të gjithë ata që po shprehen në lidhje me ligjin: “blloku i parë përbëhet nga kritizerë seriozë, dyshues të arsyeshëm dhe nga specialistë me reputacion. Ndërsa blloku tjetër përbëhet nga pehlivanët politikë, pseudopatriotë të pacipë, spekulantë, hipokritë e kukuvajka. Më këta të dytët nuk kam ndërmend të merrem. Me të parët i kemi dhënë të gjitha shpjegimet se çfarë ka ndryshuar nga 2013-a. Nëse ne do ishim në të njëjtat kushte me 2013-n, nuk do ta ndërmerrnim këtë nismë”- tha ai.
Diskutime rreth kësaj post