Mbetjet, BE nxjerr zbuluar qeverinë shqiptare
Ajo që mendon e mbi të gjitha standardet që ndjek Bashkimi Evropian në lidhje me mbetjet, kanë qenë në qendër të të dy palëve këto ditë: kryeministrit Edi Rama që mbron importin e mbetjeve dhe atyre që e kundërshtojnë atë.
“Historia Ime” ka mundur të lexojë transkriptet dhe rekomandimet e një konference me temë “Seleksionimi i mbetjeve në kontekstin e një ekonomie qarkulluese në Evropë” të mbajtur më 29 janar 2016 nga Komisioni Evropian (Municipal Waste Europe dhe EUROCITIES).
Menjëherë të bie në sy një element i rëndësishëm i kësaj pakete që është nevoja që vetë Bashkimi Evropian ia njeh vetes për rishikimin e ligjeve të BE-së për mbetjet duke e vënë theksin tek riciklimi dhe ripërdorimi i mbetjeve urbane. Për të arritur këtë, Komisioni Evropian ka sugjeruar si domosdoshmëri ndryshimin e mënyrës së mbledhjes së mbeturinave nga familjet në vendet e Bashkimit Evropian.
Debati kryesor gjatë Konferencës ishte si të lehtësohet zbatimi i praktikës së seleksionimit të mbetjeve. Ndryshe nga si e ka paraqitur qeveria shqiptare, diferencimi i mbetjeve nuk e bën riciklimin domosdoshmërish një proces më të kushtueshëm, thuhet në paketën e sugjeruar nga Komisioni Evropian. Sipas BE, është më e kushtueshme në rast se mbetjet nuk seleksionohen që në burim (madje që në kuzhinat e familjeve), një fakt ky që rrëzon argumentin e qeverisë shqiptare sipas së cilës “ky proces është i shtrenjtë”.
KE ka shpjeguar gjithashtu se diferencimi nuk është as i papranueshëm nga publiku. Nëse jepen stimujt e duhur financiar, ndërgjegjësues etj, shembujt pozitivë të qyteteve kanë treguar se qytetarët e kanë pranuar sistemin dhe kanë bashkëpunuar. Nuk është i vërtetë as fakti se kjo praktikë mund të funksionojë vetëm në qytete të vogla apo të mesme. Praktika e kryeqyteteve evropiane ka treguar të kundërtën, sipas dokumentit me rekomandime nga kjo konferencë që Historia Ime e zbardhi të plotë nga faqja zyrtare e Bashkimit Europian.
Gjatë konferencës, ekspertë të ndryshëm kanë theksuar se riciklimi duhet të jetë me patjetër një proces ku qytetari të luajë rol kyç. Qytetet e vogla dhe të mesme shpesh kanë rezultate më të mira se kryeqytetet për shkak të afërsisë dhe impaktit që kanë tek qytetarët. Pra riciklimi dhe procesi i seleksionimit është shumë më i suksesshëm në nivel lokal pasi ka përfshirje më të madhe.
Ajo që sugjeron Komisioni Evropian është në kundërshtim me atë që po propozon qeveria shqiptare. Sugjerohet t’i jepet prioritet procesit të riciklimit në nivel lokal dhe forcimit të marrëdhënies bashki – qytetar dhe jo ndërmarrja e politikave për importimin e mbetjeve jashtë kufijve.
KE-ja sugjeron që mbeturinat të mos lëvizen, pra të mos eksportohen apo importohen, por të riciklohen aty ku janë, mundësisht në qytetet apo qytezat ku prodhohen. Ndërsa ajo që na sugjeron qeveria shqiptare është importi i plehrave të huaja, që sipas saj do t’i hapte rrugë fuqizimit të industrisë ricikluese.
Paketa e propozuar nga Komisioni Evropian përfshin tre kërkesa të cilat vendi ynë i sheh ende nga larg (për të mos thënë se po ecen në drejtim të kundërt):
- Grumbullim i diferencuar (seleksionim) i mbetjeve urbane
- Pakësim sa më i madh i landfilleve deri në mbyllje të tyre për mbetjet e seleksionuara
- Kthimi i kulturës së riciklimit dhe ripërdorimit në një objektiv kryesor
Shteti me performancën më të lartë të riciklimit dhe ripërdorimit të mbetjeve është Gjermania me 64% dhe me performancë më të ulët Rumania me vetëm 3% – ndërkohë që pjesa tjetër shkon nëpër landfille. Ndërkohë kryeqytetet me performancë më të mirë janë cilësuar Ljubjana në Slloveni dhe Talin në Estoni. Shembulli i këtyre dy qyteteve rrëzon edhe mitin paragjykues se Evropa e veriut është e suksesshme në këtë proces në krahasim me jugun apo vendet që dikur i përkisnin ish bllokut komunist.
Në Shqipëri ende nuk kemi ndërgjegjësim për praktikën e koshave të ndarë (plastikë, metal, letër, qelq), e aq më pak zbatim të teknikave për shtimin e mbetjeve të ricikluara.
Për letrën dhe metalin, teknikat më frytdhënëse në Evropë janë ato të grumbullimit derë më derë e ndërsa për produktet e qelqit mbledhja në pikat e grumbullimit. Gjithashtu shumë qytete aplikojnë edhe formën “pay-as-you-throw”, (paguhesh sapo i hedh mbeturinat) duke i shpërblyer financiarisht qytetarët që diferencojnë mbetjet e tyre. Sipas propozimit të KE-së, komunikimi i mirë me qytetarët është gjithmonë çelësi për një proces të suksesshëm.
Vendet që duan të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe riciklimit, duhet patjetër të adopotojnë sistemin e diferencimit të mbetjeve. /m.g/
Diskutime rreth kësaj post