Teksa Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën për përzgjedhjen e katër operatorëve që do të mirëmbajnë rrugët në të gjithë vendin përkundrejt vlerës 128 milionë euro për një periudhë 5-vjeçare, në të njëjtën kohë po zhvillon tenderë të veçantë për mirëmbajtjen e disa akseve.
Dje, në Agjencinë e Prokurimit Publik, u shpall fituese kompania “Curri sh.p.k” për projektin “Mirëmbajtje rutinë dhe dimërore me performancë aksi rrugor Qafë Bualli – Krastë, 16.7 km, për afat 24 muaj me vlerë mbi 19 milionë lekë.
Pesë ditë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte shpallur hapjen e ofertave për shpalljen e katër kontratave të mëdha për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin për një periudhë pesëvjeçare. Rezultatet ende nuk janë publikuar. Kosto e mirëmbajtjes së rrugëve për pesë vitet e ardhshme llogaritet 128 milionë euro, nga të cilat 65.9 milionë euro do të financohen nga Banka Botërore.
Mirëmbajtja e rrugëve është ndarë në katër kontrata për katër rajone.
Kontrata A: Në veri të Shqipërisë, ku përfshihen rrugët në Shkodër dhe Kukës.
Kontrata B: Përfshin mirëmbajtjen e rrugëve në rajonet e Dibrës dhe Tiranës.
Kontrata C: Përfshin mirëmbajtjen e rrugëve në rajonet e Fierit, Elbasanit dhe Korçës.
Kontrata D: Përfshin mirëmbajtjen në rrugët e Jugut, konkretisht në rajonin Vlorës dhe Gjirokastrës.
Qeveria e Shqipërisë ka marrë financime nga Banka Botërore për përballimin e kostove për mirëmbajtjen e rrugëve, duke shtuar edhe nga fondet e veta. Kontratat do të financohen bashkërisht nga Banka Botërore dhe Qeveria.
Burime të ‘Monitor’ nga sektori rrugor pohojnë se rasti i mirëmbajtjes me performancë për aksin rrugor Qafë Bualli – Krastë, nuk është mbivendosja e vetme. ARRSH ka shumë kontrata dyvjeçare për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin, teksa ka shpallur tenderin e ri të mirëmbajtjes për të gjitha rrugët në pesë vitet arrdhshme.
Burimet e ‘Monitor’, pohojnë se si pasojë e këtyre shpërdorimeve, kostoja e mirëmbajtjes së rrugëve në Shqipëri është nga më të lartat në Europë, gati e njëjtë me Suedinë (1000 euro për kilometër në muaj), ndërsa situata në terren e rrugëve dhe akseve nacionale nuk i reflekton këto investime.
Diskutime rreth kësaj post