Këtë herë Partia Demokratike nuk publikoi email-et e komunikimit me Ambasadën Amerikane, por deputeti Oerd Bylykbashi i dha një përgjigje indirekte ambasadorit amerikan, kur risolli në vëmendje se vendet e rezervuara nuk ishin propozim i opozitës.
“PD ka lëvizur nga propozimi i bërë nga OPDAT dhe EURALIUS dhe i pranuar nga ne që në shkurt, ai i vendeve të rezervuara. Një propozim qartazi i ndërkombëtarëve, sipas tyre, në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias”, deklaroi Bylykbashi.
Opozita nuk e mbështeti modelin tjetër që ambasadori Lu përmend në letrën për deputetët, votën e vetme të transferueshme, që përshkruhet nga ambasadori si një prej modeleve që përmbush rekomandimin 88 të Venecias dhe që mbështetet nga mazhoranca.
“Është gjithashtu një formulë e ekspozuar ndaj korrupsionit politik, që do ta kthente votën e vetme të transferueshme në një votë të vetme të trafikueshme dhe unë besoj se kjo do të ishte një goditje thelbësore për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e produktit të reformës në drejtësi”, nënvizoi Bylykbashi.
Por po kaq të ashpër e ka reagimin edhe Partia Socialiste për propozimin e ri të demokratëve, që i jep Gjykatës Kushtetuese rolin që ka në draftin zyrtar operacioni ndërkombëtar i monitorimit.
“E vetmja e re në propozimin e Bashës është fakti se Basha vetë kërkon të përzërë nga procesi i vetingut ndërkombëtarët, BE-në që është në krye të operacionit dhe SHBA-të që e monitorojnë atë”, deklaroi deputeti socialist Erion Braçe.
Sipas propozimit të opozitës, filtrimi i kandidaturave bëhet nga Gjykata Kushtetuese dhe vendoset me votë sekrete nga komisioni ad hoc, sepse, siç thotë PD, Komisioni i Venecias e ndalon që ndërkombëtarët të jenë vendimmarrës në procesin e vetingut.
Diskutime rreth kësaj post