Prej një muaji në Bruksel është ngritur një zyrë e posaçme për të përgatitur dosjet e zyrtarëve të korruptuar shqiptarë, përkatësisht gjyqtarët e prokurorët.
Kjo zyrë, e cila ka nisur nga puna, është në varësi të një njeriu që e njeh mirë Shqipërinë: Reinhard Priebe, përgatësisht drejtori i luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit në Bruksel, i cili ka qenë kryenegociator për Shqipërinë dhe Ballkanin deri në vitin 2006.
Gjermani 67-vjecar i lindur në Lubeck të Gjermanisë, është doktoruar për të Drejtën Europiane dhe ka përfaqësuar Gjermaninë prej gati 40 vjetësh në Bashkimin Europian.
Zyra në Bruksel do të përgatisë materiale për Komisionin e Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë pas miratimit të reformës në Drejtësi.
Komisioni i Vettingut, që realisht do të kontrollohet nga një përfaqësues i SHBA-së dhe BE-së, do të kalojë në sitë të gjithë gjyqtarët e prokurorit, sipas një axhende të përcaktuar kriteresh.
Kriteri profesional do të jetë i pari, ku do të shqyrtohet mënyra e emërimit e gjykatësit dhe prokurorit; përkatësisht arsimi dhe eksperienca si dhe njohja akademike e ligjit. Me një fjalë, të ashtuquajturit “gjyqtarë të plepave” dhe hetuesit e komunizmit do të rrëzohen të parët.
Pas këtij kriteri do të nisë kontrolli i figurës, ku në radhë të parë është skanimi në detaj i pasurisë.
Zoti Priebe, prej vitit 2011 ka drejtuar organin më të rëndësishëm në Komisionin Europian për Çështje të Brendshme dhe Drejtësi, konkretisht drejtorinë për luftën ndaj terrorizmit, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Kjo drejtori ka qenë dhe hartuesja e “pjesës së luanit” të raporteve publike dhe konfidenciale mbi Shqipërinë.
Shumica e këtyre raporteve kanë qenë konfidenciale dhe kanë përfunduar në zyrat e kryeministrave të vendeve kryesore të BE-së.
Diskutime rreth kësaj post