Policia e Tiranës ka dhene detaje për grabitjen në Aeroportin ‘’Nënë Tereza” ne Rinas.
Keshtu, në orës 14:23 të datës 30.06.2016, sipas orës së sistemit të kamerave të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, një person i veshur me jelek me ngjyrë portokalli me fasha fosforeshente, kapërcen portën e ndodhur në skajin veri-perëndimor të pistës, e cila përdoret vetëm për hyrje-daljen e mjeteve që furnizojnë me karburant avionët. Ky person ka prerë drynin e derës dhe pasi ka hapur atë, në territorin e pistës futet një automjet tip Mercedes Benz me ngjyre vishnje. Autorët janë futur me makine në vendqëndrimin e automjeteve te sherbimit dhe kanë kryer vjedhjen e parave që ndodheshin në makinën e blinduar të shoqërisë “NAZERI 2000″.
Në orën 14:27 ky automjet duket që del përsëri nga territori i aeroportit nga e njëjta portë, prej nga hyri. Rezulton se pas daljes nga porta, autorët janë larguar në drejtim të aksit rrugor Rinas – Fushë Krujë – Vorë. Në orën 14:33, 10 minuta pas thyerjes së sigurisë së rrethimit të jashtëm të aereoportit, Salla Operative e DVK&M Tiranë njoftohet nga ODM (Operatori i Drejtimit dhe Menaxhimit të Aeroportit), se persona të armatosur kanë hyrë me automjet brenda territorit të pistës së avionëve dhe kanë kryer një grabitje.
Menjëherë me marrjen e njoftimit, shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve duke konstatuar një automjet tip Mercedes Benz, i cili po digjej. Në ndjekje të autorëve janë vënë forcat Renea, FNSH, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Komisariatit Kruje dhe specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit.
Gjithashtu, është ngritur në fluturim me efektiva të policisë Renea helikopteri i Policisë për krehjen e zonës nga ajri. Menjëherë është ngritur grupi hetimor, ku ka vazhduar puna për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje. Nga të dhënat paraprake të hetimit, rezulton se persona me maska dhe paruke, të armatosur me armë automatike të llojit kallashnikov, nën kërcënimin e armëve, kanë arritur të grabisin një sasi valute të kartëmonedhave të ndryshme, të deklaruar më pak se 1 milion euro, ne automjetin tip Blind te shoqërisë SH.P.S.F. “Nazeri 2000”.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dëshmitë e marra deri tani dhe të gjitha të dhënat paraprake hetimore, autorën nuk kanë qëlluar me armë. Reagimi i Policisë ka qenë i menjehershëm pas njoftimit të dhënë, megjithëse sipas regjistrave, është njoftuar rreth 10 minuta pas hyrjes së makinës dhe 5 minuta pasi autoret jane larguar nga rrethimi i aeroportit.
Po punohet intensivisht në disa pista për zbardhjen e kësaj ngjarje. Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve në dhënien e informacioneve të vlefshme në lidhje me këtë ngjarje dhe siguron ruajtjen e anonimatit. Policia e Shtetit është e angazhuar për të garantuar siguri maksimale të qytetarëve në Aeroportin e Rinasit, ashtu sic do të kërkojë në vazhdimësi shtimin e masave të sigurisë nga të gjithë institucionet që kanë përgjegjësi për garantimin e sigurisë brenda aereoportit dhe çdo mjedisi tjetër.
Diskutime rreth kësaj post