Tashmë është zyrtare: Fotoja e kryeministrit Edi Rama me presidentin amerikan Barack Obama në tetor të vitit 2012 është e blerë.
Biznesmeni shqiptaro-amerikan në Nju Xhersi të SHBA-ve, Bilal Shehu ka pranuar se ka dhuruar 80 mijë dollarë për fushatën e Obamës në vitin 2012 në mënyrë që të merrte dy bileta për një aktivitet të fushatës së tij, shkruan Reuters. Njëra prej tyre është përdorur pikërisht nga kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në këtë event fondesh të organizuar nga presidenti Obama, ku u shkrep edhe fotoja e famshme me shefin e shtëpisë së bardhë.
Rasti është denoncuar në vitin 2013 nga kongresmeni republikan Dana Rohrabacher, që në atë kohë kërkoi të bëheshin hetime në lidhje me biletat e blera nga familja Shehu (Bilali dhe bashkëshortja e tij) për eventin e Obamës, nga 40 mijë dollarë secila, e njëra prej tyre e përdorur nga kryeministri shqiptar.
Republikani Dana Rohrabacher nga Kalifornia pretendoi në atë kohë se fotoja është përdorur më pas për qëllime “të rreme” nga Rama për të nënkuptuar një marrëdhënie me Obamën gjatë zgjedhjeve në Shqipëri, që e çuan atë drejt fitores.
Prokurorët kanë thënë se Shehu ka pranuar se ka marrë një transferim parash me shumën prej 80 mijë dollarë nga një burim i huaj për të siguruar bileta për eventin e fondeve. Më pas prokurorët shtuan së Shehu fluturoi drejt San Franciskos dhe u përpoq të fitonte hyrjen në eventin e fondeve, të cilit i ishte ndaluar hyrja por ishte i lejuar të fotografohej me Obamën.
“Shehu ka pranuar përgjegjësinë për sjelljen e tij dhe është i penduar për veprimet”, tha avokati i tij Alan Abramson.
Shehu rrezikon pesë vite burg dhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh. Vendimi jepet më 5 tetor.
Diskutime rreth kësaj post