Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka ripërsëritur mesazhin se kriza e refugjatëve nuk përballohet me politika ksenofobe. Këtë herë ai zgjodhi që simbolikisht t’i dhurojë një jelek shpëtimi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, i cili ndodhet për një vizitë në Athinë.
“Është një dhuratë simbolike nga mijëra objekte që kanë mbledhur banorët e ishujve tanë të Detit Egje, me një urim që marrëveshja e BE me Turqinë, që ka reduktuar fluksin e emigrantëve të vazhdojë të zbatohet”, tha Tsipras.
“Aty ku ka mure, të ndërtojmë ura midis njerëzve” ka qenë edhe përgjigjja e Ban Ki Mun që ka përgëzuar Greqinë, e cila sipas tij megjithë krizën ekonomike shumëvjeçare arriti të menaxhojë valën e mbi 1 milionë refugjatëve që erdhën nga brigjet turke me destinacion Europën Qendrore.
“Greqia ka qenë bujare duke shpetuar jetë njerëzish.Ajo meriton admirimin tonë të thellë. Gjithashtu meriton mbështetje më të madhe nga komuniteti ndërkombëtar. Greqia nuk duhet të lihet e vetme për të perballuar këtë sfidë”, tha Ban Ki Mun.
Tsipras dhe Ban Ki Mun kanë rënë dakord të këtë një ndarje të drejtë të refugjatëve në shtetet europiane për të përshpejtuar procesin e zhvendosjejes së tyre nga Greqia, një javë pasi Athina nisi një procedurë të re të regjistrimit për azilkërkuesit e bllokuar në vend.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, pas takimit me kryeministrin dhe presidentin e vendit ka vizituar edhe ishullin e Lesbos, pika e hyrjes se shumicës së refugjatëve nga Turqia.
Diskutime rreth kësaj post