Nga Ilir Sinanaj
Një nga elementët që siguron cilësinë e arsimimit të të rinjve është padyshim testimi. Për të pasur një vlerësim sa më të paanshëm të dijeve të studentëve, përgjigjet e provimeve, s’do mend, nuk duhet të publikohen një ditë më parë. Në mbrëmjen e së enjtes disa media online si edhe rrjete sociale publikuan ato që u cilësuan si përgjigjet e provimit të Maturës për lëndën Matematikë. Te premten ish-kryeministri Sali Berisha nëpërmjet faqes së tij të “Facebook” publikoi (rreth orës 08:00) të ashtu-cilësuara përgjigje të provimit të Maturës për lëndën Matematikë, duke akuzuar për shitje të përgjigjëve. Më vonë Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) do të reagonte duke përgënjeshtruar faktin se përgjigjet e provimeve të Maturës të Lëndës Matematikës të mund të ishin publikuar para kohe. Provimi i Matematikës, sipas një Urdhëri të MAS-it, zhvillohej në datë 17 qershor 2016 në orën 10:00. Ndërkaq një botim i parakoshëm i përgjigjeve të provimeve të Maturës dëmton rëndë cilësinë e arsimimit si edhe vë në rrezik të ardhmen e shumë të rinjvë, të cilët në bazë të provimeve të Maturës do të investojnë për të atë që do të bëjnë më vvone në jetë. Në kapitalizëm, si edhe në çdo lloj rendi tjetër shoqëror, dëmi i shkaktuar shpaguhet. Por çfarë parshikon legjislacioni në fuqi në lidhje me publikim e përgjigjeve të tezave të provimeve të maturës para afatit të caktuar, në këtë rast para se të kryhet provimi?
Legjislacioni për datat e provimeve të Maturës
Datat e provimeve të maturës u caktua nga MAS me Udhëzimin nr. 3 datë 24.03.2016 “Për Zhvillimin e Provimeve Kombëtare të Maturës Shtetërore 2016”. Sipas këtij udhëzimi data për provimin e Matematikës u caktua në 17 qershor 2016.
Legjislacioni për materialin e provimeve të Maturës
Përgjigjet e provimeve të Maturës cilësohen sipas legjislacionit si materiale të rëndësisë të veçantë dhe personat që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me to dënohen sipas Kodit Penal nëse thuejnë ligjin për mënyrën se si i trajtojnë këto materiale. Sa u tha më sipër, në lidhje me përgjigjet e tezave të provimeve, bëhet e ditur në Udhëzimi i MAS nr. 91 datë 02.03.2016 “Për Miratimin e Rregullores së Maturës Shtetërore 2016 në Republikën e Shqipërisë”.
Në Nenin 31, i cili gjendet, në Kreun X “Klasifikimi i Materialeve dhe Ruajtja e Tyre” të këtij Udhëzimi thuhet: “Konsiderohen materiale të një rëndësie të veçantë:
- Tested he skemat e vlerësimit të tyre, deri para shpalljes në Web-in e MAS;
- Kodet e sekretimit;
- Test broshurat nga çdo maturant/kandidat;
- Baza e të dhënave të Maturës
- Procesverbalet e AP, PAP, përgjegjësve të vlerësimit dhe vlerësueve të testeve;
- Bllokuesit e valëve të telefonisë celulare.”
Për sa i përket pjesës së ndëshkimit, kjo bëhet e ditur në Nenin 34, ku thuhet: “Personat fizikë dhe juridikë, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me materialet e konsideruara të një rëndësie të veçantë, sipas nenit 31, veprojnë në përputhje me këtë rregullore. Në rast shkelje, zbatohen dispozitat e Kodit Penal”. Pra sipas Udhëzimit i MAS nr. 91 datë 02.03.2016 “Për Miratimin e Rregullores së Maturës Shtetërore 2016 në Republikën e Shqipërisë”, nxjerrja para kohe e përgjigjeve të rezultateve të provimeve të Maturës është një shkelje e rregullave që lidhen me materialet e një rëndësie të veçantë, për të cilën dënimi parashikohet në Kodin Penal të republikës së Shqipërisë. Në Kodin Penal pjesa ku flitet për dënime që lidhen me shkelje të legjislacionit për sa u përket materialeve të rëndësisë së veçantë është Nini 192/a. Sipas këtij Neni asgjesimi, zdhukja apo vjedhja e dokumentave të një rëndësie të veçantë dënohen me gjobë ose deri në 3 vite burg. Nga ana tjetër, eksportimi i dokumetave të arkivit apo bibliotekës që janë me rëndësi të veçantë dënohet deri në 5 vite burg ose me gjobë.
SEKSIONI VIII FALSIFIKIMI I DOKUMENTEVE
Neni 192/a
Zhdukja dhe vjedhja e dokumenteve (Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 53) Asgjësimi me çdo mënyrë i dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, si dhe zhdukja e vjedhja e dokumenteve që janë të një rëndësie të veçantë, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Vjedhja e dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, që janë të një rëndësie të veçantë, ose eksportimi i tyre në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Ndërkohë, nëse dhënia e përgjigjeve të tezave të provimeve, jashtë rregullave, mund të konsiderohej si ‘zbulim i një sekreti’ atëherë Neni 265/a i Kodit Penal parshikon dënim me gjobë ose deri në 5 vite burg
SEKSIONI IV VEPRA PENALE KUNDËR SEKRETIT DHE KUFIJVE SHTETËRORË
Neni 295/a
Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete (Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 26; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 56)
Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave, të cilat përbëjnë sekret tregtar industrial ose profesional, nga ana e personave publikë, që kanë detyrë ruajtjen e tyre, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave të përmbajtura në aktet sekrete nga persona të tjerë, që kanë dijeni për të dhëna për procedimin penal e që janë paralajmëruar nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbulimin e tyre, dënohet me burgim deri në tre vjet. Zbulimi i të dhënave sekrete, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë, sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet. Zbulimi i sekretit që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Diskutime rreth kësaj post