Mazhoranca depozitoi të premten në mesditë nismën për ndryshimin e Kushtetutës. Ky është drafti final i miratuar vetëm me votën e mazhorancës të martën në Komisionin për reformën në drejtësi.
Deputetët firmëtarë për ndryshimin e Kushtetutës janë 33, të gjithë socialistë me përjashtim të dy deputetëve që përfaqësojnë aleatët qeverisës, Petrit Vasilin e LSI-së dhe Tahir Muhedinin e PDIU-së.
Kjo do të thotë se drafti mbështetet zyrtarisht nga 87 deputetët që kanë së bashku të tre grupet parlamentare qeverisëse nga 94 vota që duhen gjithësej.
Por derisa të shkojë për votim do të duhen të paktën edhe dy javë. Procedura parlamentare përcakton lajmërimin e Kuvendit në seancën më të parë plenare.
Projektligji me ndryshimet kushtetuese u shpërndahet deputetëve dhe ai futet menjëherë në programin e punës. Megjithatë, diksutimi i tij në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit fillon vetëm dy javë pas depozitimit në Kuvend.
Që do të thotë se drafti me reformën në drejtësi do të shqyrtohet dhe do të shkojë për votim në Kuvend në fillim të korrikut.
Prej muajsh pati përpjekje për të arritur një marrëveshje mes mazhorancës me Partinë Demokratike për miratimin e kësaj reforme me konsensus. Por pas shumë përpjekjesh palët mundën të bien dakord pothuajse për të gjitha pikat, përveç kërkesës së vendeve të rezervuara që PD kërkonte në institucionet që krijoheshin nga kjo reformë.
Diskutime rreth kësaj post