Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngrirë marrëdhëniet me opozitën shqiptare, pas pozicionimit të kësaj të fundit kundër draftit të ndërkombëtarëve për Reformën në Drejtësi. Që pas deklaratës së fortë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila veshi me përgjegjësi opozitën për mungesë fleksibiliteti dhe dështimin e negociatave për finalizimin e reformës, mes amerikanëve dhe Partisë Demokratike është ndërprerë komunikimi.
Të paktën kështu mësohet se ka deklaruar kryetarit i opozitës, Lulzim Basha, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duke konfirmuar kësisoj edhe fillimin e izolimit ndërkombëtar të opozitës. I pyetur nga deputetët e Partisë Demokratike, mbi raportet me ndërkombëtarët, sidomos me Ambasadën Amerikane, Basha ka deklaruar se nuk ka pasur më asnjë kontakt dhe komunikim. Sipas burimeve, në mbledhje nuk kanë munguar as akuzat në adresë të SHBA-BE, çka u reflektua edhe në deklaratën e fundit të Bashës, i cili akuzoi amerikanët se po tentojnë t’i mbivendosen Komisionit të Venecias.
Shqetësimi i deputetëve
Gjatë diskutimeve për Reformën në Drejtësi, të fokusuara kryesisht tek pika 88, disa deputetë kanë shprehur shqetësimin për klimën e tensionit mes opozitës dhe faktorit ndërkombëtar. Pas Eduard Selamit, i cili pati paralajmëruar se qëndrimi për reformën do ta vinte opozitën në pozicion kundërshtie me SHBA-BE, Basha është pyetur edhe nga deputetët Sherefedin Shehu, Arben Imami etj., mbi marrëdhëniet me Ambasadën Amerikane. Javën e kaluar, Ambasada Amerikane deklaroi se opozita nuk tregoi fleksibilitet sa i takon negociatave për reformën, ndërsa mbështeti mazhorancën për të miratuar e vetme, projektin kushtetues. Si rrallë ndonjëherë, Berisha dhe Basha iu përgjigjën ambasadës me anë të Oerd Bylykbashit, i cili publikoi disa e-maile, për të hedhur poshtë deklaratën e prezencës diplomatike të SHBA në Tiranë. Publikimi i komunikimeve duket se ka thyer besimin mes palëve.
Ndërpriten takimet
Pas deklaratës së ashpër, ambasadorët e SHBA-BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë zhvilluar tre takime, në kuadër të përpjekjeve dhe presionit për miratimin projektit kushtetues. Ambasadorët kanë zhvilluar takimet me kryetarin e komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafajn, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Por, që pas përplasjes verbale, ambasadorët nuk kanë zhvilluar asnjë takim me përfaqësuesit e opozitës, duke vijuar kontaktet dhe komunikimin vetëm me njërin krah politik. Për herë të parë që pas zbarkimit në Tiranë, ambasadori Lu ka evituar Lulzim Bashën dhe bashkëpunëtorët e tij nga takimet për Reformën në Drejtësi. Nga ana tjetër, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, është shpallur prej kohësh nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha si e pozicionuar në krah të mazhorancës, ndonëse ky konstatim është hedhur poshtë nga Bashkimi Evropian.
Mbledhja
Grupi parlamentare i Partisë Demokratike është mbledhur dje për të koordinuar qëndrimin në mbledhjen e komisionit për Reformën në Drejtësi. Sipas burimeve, diskutimet janë përqendruar tek pika 88 e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Kryetari i PD ka kërkuar unifikimin e qëndrimit grupit parlamentar, duke deklaruar se opozita nuk do të heqë dorë nga zbatimi i pikës 88 të opinionit, që parashikon ndarjen politike të vendeve të lira në KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK. Diskutimet janë fokusuar edhe tek neni 5 i projektit Kushtetues, i cili ndryshon nenin 18 pika të 2 të Kushtetutës. Neni pesë parashikon që askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, identiteti gjinor, orientimi seksual, gjendja ekonomike, pasurore, arsimore, origjina sociale, lindja, aftësia e kufizuar, përkatësia shoqërore, prindërore ose të tjera.
Izolimi
Që pas deklaratës së fortë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila veshi me përgjegjësi opozitën për mungesë fleksibiliteti dhe dështimin e negociatave, mes amerikanëve dhe PD është ndërprerë komunikimi.
Deputetët
Gjatë diskutimeve për Reformën në Drejtësi, të fokusuara kryesisht tek pika 88, disa deputetë kanë shprehur shqetësimin për klimën e tensionit mes opozitës dhe faktorit ndërkombëtar.
Diskutime rreth kësaj post