Rreth 300 zjarrfikës, nga 720 që janë gjithsej në të gjithë Kosovën, protestuan të enjten para ndërtesës së Qeverisë, në shenjë pakënaqësie për kushtet e punës dhe për mosrregullimin e statusit të tyre juridik.
“Deri kur?”, “Implementoni ligjin” apo “Duam siguri në punë” ishin vetëm disa prej mesazheve të shkruara në pankarta. Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka bëri të ditur se, që prej 2008-s ia kishin parashtruar në mënyrë të vazhdueshme kërkesat e tyre qeverisë, por pa asnjë rezultat.
“Nga tentativa për të dalë nga kjo situatë, vështirësitë vetëm janë shtuar, sepse ligji që është nxjerrë prej vendimit dhe udhëzimit administrativ për transferim nuk është zbatuar. Prej vitit 2011 kemi mbetur në mëshirën e askujt. Ne nuk jemi punëdhënës, ne nuk e dimë se kujt t’i drejtohemi, ku t’i artikulojmë problemet tona dhe për të gjitha kërkesat që i kemi artikuluar në nivelin lokal dhe në nivelin qendror, përgjigjja ka qenë çdo herë duke ia hedhur fajin njëra-tjetrës”, tha Beka.
Ndërsa kryetari i Këshillit grevist, Abdylsamed Shkodra përmendi edhe njëherë kërkesat e tyre kryesore.
“Të rregullohet statusi juridik, të nxirret ligj i veçantë për zjarrfikësit, të përkufizohen kompetencat menaxhuese, të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen pajisjet dhe mjetet e punës, të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore dhe orët jashtë orarit, të barazohen koefiçentet në të gjitha komunat”, tha Shkodra.
Pas një ore proteste dhe përpjekjeve të pasuksesshme për t’u takuar me ndonjë prej përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës, zjarrfikësit paralajmëruan manifestime të tjera dhe u shpërndanë qetësisht.
Diskutime rreth kësaj post