Ismail Kadaresë i është dorëzuar dekorimi më i lartë që Franca mund t’i japë; titulli “Komandant i Legjionit të Nderit”. Titulli i është dorëzuar nga presidenti francez, Francois Hollande pasditen e së hënës në pallatin presidencial “Elize”.
Ceremonia është mbajtur me një rreth shumë të ngushtë të ftuarish dhe pjesëmarrës në të ka qenë edhe Kryeministri Edi Rama.
Vlerësimi i artit të Kadaresë në atdheun e tij të dytë, ku zhvillon karrierën letrare që prej vitit 1990, është njëkohësisht vlerësim për kulturën dhe gjuhën shqipe.
Titulli është shpallur që me fillimin e këtij viti, duke përkuar me muajin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.
Sa i përket fushës së letrave, të njëjtin titull me të ka marë edhe shkrimtari francez Michel Tornier.
Urdhri është krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802 dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme. Kalorës, oficer, komandant, oficer i madh dhe Kryq i Madh. Medalja në rastet e civilëve jepet kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencës, politikës, gazetarisë etj.
I konsideruar si një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohore Ismail Kadare, i përkthyer në 50 gjuhë të botës, është nominuar disa herë me çmimin “Nobel” për letërsi.
Diskutime rreth kësaj post