Të treja gjuhët që përdori në Asamblenë parlamentare të NATO-s; shqip, frëngjisht dhe anglisht; kryeministri Edi Rama i shfrytëzoi për të shprehur vullnetin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Europës.
Kjo ra më shumë në sy, kur iu përgjigj një britaniku të interesuar për pikëpamjet e kryeministrit për zgjerimin, pas përfshirjes në debatin për largimin ose jo të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.
“Ndoshta jemi ende shumë naivë, që mendojmë se BE-ja është çfarë mendojmë ne që është, dhe ndoshta ju e keni humbur tërësisht kapacitetin për të qenë naivë, por me të tillë situatë gjërash dua t’iu them që nuk preferoj të jem në vendin tuaj. Preferoj të jem në vendin ku jam, në vendin tim. Kështu që ne preferojmë të vazhdojmë më tej dhe të bëhemi anëtarë të BE-së”, tha Rama.
Këtë qëndrim, kryeministri e mbrojti me këmbëngulje deri në fjalinë e fundit të përgjigjes, pavarësisht se dy ditët e fundit, në Britani shqiptarët janë vënë sërish në qendër të vëmendjes, pas shpëtimit të një varke që po mbytej në La Mansh, me 18 emigrantë shqiptarë në bord.
“Edhe një herë, me aq sa mund t’iu vij në ndihmë, ju lutem të mos largoheni nga BE”, deklaroi kryeministri Rama.
Diskutime rreth kësaj post