DITA – Shënim
Këtë të mirë ka dekriminalizimi. Nis si një histori shpullash dhe përfundon me gjetje emrash e mbiemrash të ndryshuar. Që bëhen objekt gallate në internet dhe në bisedat e shqiptarëve. Janë deklarime që i kanë bërë vetë politikanët dhe zyrtarët, por që hedhin dritë mbi të vërteta të mëdha. Kështu për shembull, morëm vesh që Berisha kishte pasur të drejtë kur Edi Ramës i drejtohej me “Edvin”. Apo se disa zyrtarë të lartë kanë histori emigracionesh të hershme, ose se Blend Klosi ka thyer ca shishe birre në rininë e parë.
Opozita, pra, ja arriti qëllimit dhe e pastroi politikën dhe administratën. Por harroi të na thoshte se një ministër i saj i djeshëm ishte ftuar të bashkëpunonte me UDB-në jugosllave. Nuk e tha as vetë i prekuri, dhe nuk kish si ta thoshte as mjeshtri i tij politik, i cili asnjëherë nuk u është përgjigjur njëqind e një indicideve dhe të dhënave, të botuara edhe në DITA, se ka qenë dora e zgjatur e shërbimeve serbe në Shqipëri.
Është e qartë se kombinimi i emrit Flamur Noka me nocionin e agjentit, është i pamundur për shumë mendje të shëndosha me njëfarë respekti për veten. Kjo, pasi publiku e njohu, e pa dhe e dëgjoi Nokën në vetë të parë si deputet e pastaj si ministër, dhe jo nga rubrika satirike e Mero Bazes: Një qesharak, një njeri formimi dhe inteligjenca e të cilit do ta bënte mediokrin e zakonshëm të ngjante gjeni; por ama një shërbëtor i palodhur dhe i përpiktë.
Është e vërtetë se tallja rëndshëm e Bazes me Mulin sekretar të PD-së, konsiderohet gjerësisht si arsyeja përse Sali Berisha, për karshillëk, e vuri Nokën ministër. Por qenka dhe një arsye më e thellë, me çfarë del nga dokumenti që Baze publikoi dje: Ky djalë Shishtaveci është ftuar për rekrutim nga shërbimet serbe në fillim të viteve 90-të kur kaloi kufirin si klandestin, dhe në rrëfimin e tij para policisë shqiptare nuk saktëson nëse pranoi apo jo bashkëpunimin?! Ishte viti 1991 dhe policia jonë ishte ende në grahmat e fundit të seriozitetit për të marrë në pyetje klandestinët e kthyer. Ndërsa Noka, si atëherë, si tani, ishte mjaftueshëm ‘inteligjent’ për të rrëfyer për çka e kishin pyetur serbët.
Po pse pikërisht Nokën? Ndoshta në këtë pikë na vjen në ndihmë rrëfimi i truprojave të Hysni Kapos për Idajet Beqirin, pjesa ku flitet për dy vëllezër nga Shishtaveci i Kukësit që kishin kaluar herët kufirin shqiptar. I pari kishte pranuar ftesën e UDB-së dhe bëri karrierë në rradhët e saj, deri në gjeneral. Tjetri shkoi në Paris ku pa punët e veta. Këta vëllezër ishin kushërinjtë e parë të nënës së Flamur Nokës.
Pra, del se mbase nuk është Mero Baze 100 përqind “fajtor” për karrierën e Flamur Nokës. Nuk kanë munguar së fundmi në rrjet, “lutjet” e disa komentuesve për Bazen që të mos merret më me Mulin, se një herë Berisha e bëri ministër, por herës tjetër mund ta bëjë president!
Edhe mund ta bëjë, aq më tepër që i kontaktuari i UDB-së dhe kushëriri i gjeneralit, i ka të gjitha kredencialet, ndoshta edhe më të mira se presidenti aktual. Ka qenë ministër i Brendshëm, është deputet dhe nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare (?!). Nëse shumëkujt ai mund t’i duket idiot, për Berishën pak rëndësi ka. Si në filmat me spiunazh, ku një drejtor i CIA-s thotë, “e di që filan agjent është maskara, por është maskarai ynë dhe duhet ta shpëtojmë”, në rastin e Mulit Berisha mund të thotë: “E di që është idiot, por është idioti im i besuar!”
Doni më për dekriminalizimin?
Diskutime rreth kësaj post