Ndërsa Iterforca mban të fshehur pajisjen e paligjshme të përgjimit, duke thyer kështu urdhrat e prokurorisë dhe ligjet shqiptare, detaje të reja zbardhen në kuadër të përgjimeve të kryera, mesa duket për llogari të palës shqiptare dhe asaj italiane. Dy ministra, një kryebashkiak i majtë, si dhe një botues i një medie të njohur e thuajse të deklaruar publikisht si e majtë, kanë rënë në rrjetën e përgjimeve të paligjshme të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Burime për gazetën “SOT” bëjnë me dije se flitet që, veç ambasadorëve të disa shteteve të huaja, pronarëve të disa mediave, biznesmenëve dhe politikanëve dhe deputetëve të PD dhe LSI, valët e përgjimeve të Tahirit janë përhapur deri brenda Partisë Socialiste, duke kaluar kështu në një survejim brenda llojit. Sipas këtyre burimeve, “viktimë” e përgjimeve ilegale të Tahirit kanë rënë dhe kolegët e tij përkatësisht ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, si dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Flitet se ministri i Brendshëm tashmë ka krijuar dhe dosjen individuale për secilin prej tyre, me të dhëna për aktivitete të dyshimta të kryera nga ata vitet e fundit. Për Tahirin thuhet se ka deklaruar vetë nëpër anale politike se ka përgjuar edhe kryeministrin Edi Rama, duke krijuar kështu një mburojë hermetike nga largimi i mundshëm dhe i kërkuar herë pas here nga opozita, e cila e ka akuzuar atë për afera dhe lidhje të ndryshme me krimin. Ndërsa në lidhje me botuesin e majtë, mësohet se bëhet fjalë për një kundërshtar të njohur të Tahirit, i cili e ka goditur vazhdimisht në median e tij me akuza që herë pas here kanë vënë në siklet jo vetëm ministrin por dhe vetë Ramën. Ky botues njihet në fakt për lidhje të ngushta me PS dhe përkrahje ndaj Veliajt, çka duket se është bërë dhe shkak për të qenë në shënjestrën e Tahirit. Sakaq, mësohet se veç botuesit, Tahiri ka përgjuar dhe dy gazetarë të kësaj medie.
Dosjet për ministrat dhe Veliajn
Që Policia e Shtetit ka përgjuar në mënyrë të paligjshme, kjo tashmë është gati-gati ka marrë trajtat e një lajmi të konfirmuar zyrtarisht nga institucionet që po hetojnë këtë cështje. Ndërsa fakti që Saimir Tahiri ka urdhëruar përgjimin brenda partisë dhe qeverisë së tij, ka ngritur një shqetësim serioz edhe brenda së majtës, eksponentë të së cilës kanë nisur ta krahasojnë ministrin e Brendshëm me Sali Berishën.
Ashtu si Saliu përgjonte dhe krijonte dosje për të mbajtur peng të vetët, ashtu dyshohet të ketë vepruar dhe Tahiri me të vetët. Dyshohet se Tahiri ka krijuar dosje për Arben Ahmetajn, lidhur me doganierët e punësuar në Gjirokastër, 6-7 prej të cilëve hetohen për kontrabandë me cigaret. Ndërsa për kolegun tjetër Gjiknuri, dyshohet se Tahiri i ka qepur dosje për tendera dhe veprimtari të dyshimta të kryera prej tij si ministër i Energjitikës.
Në dosjen e Veliajt thuhet se gjenden të dokumentuara dyshime për veprimtarinë e tij si ministër i Mirëqenies dhe Çështjeve Sociale. Dosjet ndaj ministrave dhe kryebashkiakut duket se i japin siguri ministrit Tahiri në ndonjë sulm të mundshëm ndaj tij nga brenda PS. Hija e dosjeve mbi tavolinën e Tahirit jo vetëm do t’u mbyllë gojën këtyre personazheve, por madje nuk do të ishte çudi nëse do t’i dilnin dhe krah në një të ardhme të afërt, kur akuzat ndaj tij të agravonin.
Marrë nga Agjensia e Lajmeve Sot News
Diskutime rreth kësaj post