Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë për shtyp, ku përveç se ka njoftuar diskutimet mbi draftin e propozimeve kushtetuese të hartuara nga ekspertët opozitarë, duke kërkuar edhe njëherë një drejtësi të pakapur politikisht, ai është shprehur se nuk komenton as deklaratat e ambasadorëve të huaj në vend, por shton se Bashkimi Europian nuk do t’ia hapë dyert e negociatave Shqipërisë nëse nuk krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Sot kemi diskutuar mbi draftin e propozimeve kushtetuese të hartuar nga ekspertët tanë për arkitekturën dhe vendimmarrjen. Te kjo e fundit ne qëndrojmë fort mbi propozimin e faktorit ndërkombëtar për vendet e rezervuara. I kemi thënë po dhe presim edhe palën tjetër t’i thotë po. Për arkitekturën, drafti përsërit se arkitektura që pamundëson kapjen politike është përgjegjësi e ligjvënësit. Nuk ka dhe nuk mund të ketë pranueshmëri të një formule që garanton këtë mosprekje. PD nuk do të pranojë kurrë një draft që i le vend kapjes së drejtësisë për të dhënë vendime alla-shullaz. I kemi thënë dhe i themi po reformës në drejtësi. Nuk duan t’i votojnë, duan t’i votojnë të gjitha bashkë, por kjo nuk duhet përdorur për t’i bërë presion opozitës. Parimi ka më shumë rëndësi dhe parimi është moskapja e drejtësisë. Drejtësi të standardit europian duam, dhe jo drejtësi alla-shullaz. Kjo kërkon kohë dhe jo presion apo hipokrizi. Një gjë urgjente në Shqipëri është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. BE-ja nuk do t’ia hapë negociatat Shqipërisë, nëse nuk krijojmë kushtet për të tilla zgjedhje. Koha po mbaron për futjen e elektronikës në zgjedhje. PD është e përkushtuar t’u japë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët nuk do të mund të zgjedhin një qeveri të përgjegjshme dhe të ndershme për hallet e tyre, nuk do të futemi në BE”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post