Drafti i Partisë Demokratike ruan strukturën e draftit të ekspertëve të huaj, që mbështet qeveria, por eliminon disa institucione që – sipas saj, – ndërlikojnë sistemin e drejtësisë, vështirësojnë aksesin e qytetarëve, ulin besueshmërinë, pavarësinë dhe llogaridhënien.
Një prej tyre është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili në draftin e mazhorancës bën renditjen e kandidatëve për shumicën e vendeve drejtuese të sistemit të drejtësisë. Opozita ia jep këtë rol Gjykatës Kushtetuese, duke ruajtur formulën e përbërjes së saj.
Përsa i përket shumicës së cilësuar, që është një nga mosmarrëveshjet kryesore mes mazhorancës dhe opozitës, Partia Demokratike propozon që deri më 1 shtatorin e vitit 2017, kur të plotësojë kuotat e tij për insitucionet më të larta të drejtësisë, Kuvendi të përdorë shumicën prej 2/3-ave.
Me nisjen e legjislaturës së re, opozita propozon shumicën prej 3/5-ave, njësoj si mazhoranca. Megjithatë, ka një ndryshim thelbësor te formula e zgjedhjes së disa funksionarëve të lartë, përkatësisht në Këshillin Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë. Formula i jep 2 vende listës së mbështetur nga mazhoranca, 2 nga opozita dhe 1 shoqërisë civile, që zgjidhet me 3/5-tat.
Drafti demokrat, që ka 25 nene më pak sesa drafti zyrtar, parashikon që asnjë anëtar i organeve të reja të mos nisë detyrën pa kaluar procesin e kontrollit, si dhe ruan mandatet kushtetuese të të gjithë funksionarëve që kalojnë provën e rivlerësimit.
*** Pak kohë më parë, ambasadori amerikan ishte ultimativ, kur përmendi kohën e miratimit të reformës në Parlament.
“Në këtë komision, deri në fund të majit dhe në Parlament deri në fund të qershorit”, tha ambasadori amerikan Donald Lu.
Paraditen e së enjtes, Kuvendi miratoi programin e punës deri më 1 korrik, por në renditjen e projektligjeve nuk figurojnë ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, megjithëse kjo vazhdon të jetë çështja që përplas më shpesh Edi Ramën dhe Sali Berishën në Parlament.
“Gjenerata tjetër për të cilën unë punoj ka nevojë të marrë sot, jo nesër, përgjigjen nga ky Parlament: Pse nuk votohet sot? Reforma në Drejtësi ballafaqohet me ty dhe partinë tënde, me të gjithë ju këtu”, tha kryeministri Rama.
“U rrëzua drafti i parë, e bëtë pa ne. U rrëzua drafti i dytë, e bëtë pa ne. A doni reformë? Ne do të udhëheqim. Asgjë tjetër, vetëm ato që tha ‘Venecia’. Nëse doni, nëse s’doni vazhdoni dështoni edhe herën e tretë e me radhë. Ne nuk iu detyrojmë me zor”, u kundërpërgjigj Berisha.
Diskutime rreth kësaj post