“Po të më thërriste kryeministri, do e informoja edhe atë për dyshimet që kishim për paisjen përgjuese”. Kështu deklaroi sot në komisionin e sigurisë kreu i shërbimit Visho Ajazi. Fjalën e kishte për paisjen e përgjimit që ka futur në sherr të gjithë shtetin. Sot u konfirmua me zë dhe figurë se gjithçka kishte nisur nga një dyshim (e theksojmë, nga një dyshim) që kishte SHISH për paisjen në fjalë dhe prej këtej ka nisur gjithçka.
Nëse do të merrnim të mirëqenë atë që tha sot Ajazi në komision, fjala është për informacione të pakonfirmuara që shërbimi sekret kishte, mbi bazën e të cilave është ndërtuar e gjithë teoria e përgjimit që po ndez sot politikën shqiptare. Visho Ajazi pranoi se nisma e tij për informimin e krerëve të shtetit dhe akuzës, ka qenë mbi baza gojore, pra pa material shkresor të protokolluar. Ai tha gjithashtu se kryeministrin nuk e kishte parë të arsyeshme ta vinte në dijeni, megjithëse me të deklaroi se takohet rregullisht “çdo dy javë”, pasi sipas tij, informacioni kishte formën e një dyshimi dhe jo të një piste të konfirmuar dhe të provuar. Mjafton kjo deklaratë, për ta kuptuar se gjithçka ka formën e një dyshimi të pakonfirmuar.
Fakti që kreu i SHISH e shikon me vend të informojë presidentin e vendit dhe kryeprokurorin për “informacione të pakonfirmuara”, por jo kryeministrin, dëshmon në fakt se ka pista preferenciale në komunikimin mes institucioneve të vendit. Ky është në fakt skandali i vërtetë i kësaj historie, ku institucionet sillen sipas orekseve dhe preferencave politike, duke e futur pjesën natyrore të shtetit, në debate absurde të natyrës politike. Duke i dhënë kështu të drejtë atyre që mendojnë se po shpiket një histori qesharake përgjimesh, për të penguar atë që qëndron tashmë në krye të rrugës së klasës tonë politike: reformës në drejtësi.
JAVANEWS
Diskutime rreth kësaj post