Nga Etleva Bragjeçi
Mjaftoi një foto e publikuar në rrjetet sociale para pak kohësh, të një nëne që u gjobit nga Policia Bashkiake pse po shiste qepë e sallata në hyrje të një pallati dhe i gjithë opinioni publik u revoltua. Nënë Zylja për shumë ditë me radhë ishte kryefjala e diskutimeve, lajmeve, debateve e akuzave politike, duke u bërë edhe ‘personazh publik’ me gjestin e Kryetarit të Bashkisë, i cili i pagoi gjobën e vënë po nga ai vetë (nga punonjësit e bashkisë).
Por sa nëna të tjera ka si nënë Zylja që përpiqen çdo ditë të punojnë e të mbijetojnë por që nuk kujtohet njeri për ta kur gjobiten me miliona Lekë për një kilogramë presh apo për një tufë sallatë?! Ka shumë si nënë Zylja, mjafton të hedhësh sytë nëpër rrugicat e lagjeve të Tiranës apo buzë trotuareve! Dhe ndryshe nga nënë Zylja, ka nëna dhe zonja të tjera që gjobiten me miliona Lekë, ndoshta jo nga Bashkia por nga Tatimet. Një prej tyre është edhe një zonjë në lagjen time, emrin e së cilës nuk e di, por di që është një zonjë e urtë dhe që përpiqet të nxjerrë ‘dy lekë’ për familjen e saj dhe që për efekt stilistikor në radhët e këtij shkrimi po e quaj “Nënë Zylja e lagjes time”.
Në lagjen time një kilogramë presh kushton 4 milionë Lekë! Po po, kaq kushton. Por, jo për mua si konsumatore, por për “Nënë Zylen” e lagjes time.
Teksa blija perime tek dyqani i lagjes, një dyqan i vogël që mund të quhet tezgë në një rrugicë vetëm 7 minuta larg qendrës së Tiranës, djali që ishte tek dyqani (djali i ‘Nënë Zyles’) me një mllef të madh filloi të fliste i irrituar teksa më priste kuponin tatimor: “Nuk e pres më fare kuponin dhe le të vijnë të më vënë gjobë prapë. Kam për tua thyer kokës këtë kasën”.
Po e shikoja çuditshëm dhe ai e vuri re reagimin tim. “Më fal tha, por nuk kam gjë me ty, por më ka ardhur në majë të hundës, nuk po na lenë të nxjerrim bukën e gojës. Këtë muaj më kanë ardhur katër herë ato të tatimeve dhe më kanë vënë gjobë 4 milionë Lekë. Me çfarë ti paguaj unë? Unë s’kam lekë të blej mall të mbush dyqanin e jo më të paguaj 4 milionë Lekë gjobë. Po të kisha aq Lekë nuk rrija këtu në këtë barake gjithë ditën dhe as nëna ime që është dhe sëmurë”.
Më erdhi keq, por s’po dija si të reagoja. Vetëm po mendoja, se ato që punojnë me ndershmëri për të mbajtur familjen gjobiten e nuk lihen të punojnë, ndërsa të tjerë me punë jo dhe aq të ‘ndershme’ lihen të lirë e të bëjnë sipas qejfit të tyre, duke mos u vajtur inspektorë tatimesh t’u trokasin në dyer e t’u vendosin gjoba. Edhe nëse ndodh tu shkojnë, shkojnë sa për sy e faqe, siç thotë populli, se ose do dalin me njohje politike e partiake e nuk u vendosin gjoba, ose hasin me të fortë me armë në brez e kurrësesi nuk guxojnë të bëjnë punën e tyre tatimorët, ose u qëllon të shkojnë në biznese, nga ku mund dalin të korruptuar vetë e në fund janë të gjithë të kënaqur.
E dimë të gjithë se shembujt që sapo përmenda nuk janë pjellë e fantazisë sime por ekzistojnë, madje me shumicë, por të gjithë bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh dhe vazhdojnë punën. Po me këta të shkretët çfarë kanë? Me gjobën e vendosur një dyqani lagjeje, që më tepër ngjan me një barakë sesa dyqan e që vetëm disa perime ka brenda, do e plotësojnë normën e kërkuar e të mbushin Buxhetin e Shtetit?!
Në atë dyqan shkoj shpesh për të blerë perime të freskëta. Në të shumtën e rasteve gjej një zonjë, të cilën pak më lart e quajta “Nënë Zylja”, mbi të 50-at, e veshur me të zeza, ndoshta një fatkeqësi mund ti këtë ndodhur, por që duket aq fisnike dhe aq e sjellshme, sa them me vete: Përse të shkoj ti paguaj ato para në një supermarket ku pronari i tij ndoshta nuk di sesa para ka, dhe të mos blej perime të freskëta tek kjo zonjë e mirë? Të paktën kështu ‘ndihmoj’ këtë zonjë që ka nevojë. Kur nuk është zonja me të zeza, në dyqanin e vogël të lagjes, qëndron djali i saj, po aq i urtë e i sjellshëm sa nëna e tij. Dhe bravo i qoftë që ndihmon mamanë dhe nuk rri rrugëve siç bëjnë shumë bashkëmoshatarë të tij, apo rrinë nëpër kafene e më keq akoma konsumojnë duhan e lëndë narkotike. Ai do të punojë e të ndihmojë të ëmën, por ja që nuk e lënë.
Si mundet ti vësh gjobë, një dyqan-tezgë, 4 milionë Lekë për kuponin tatimor, kur 4 milionë Lekë nuk është xhiroja vjetore e këtij dyqani?! Me vetëm disa perime, që kush e di me sa mund i ka mbjellë në bahçen e asaj ajo zonjë, kurrësesi nuk i bën aq Lekë xhiro vjetore! Me gjobën e vënë, ajo zonjë do e mbyllë atë dyqan-tezgë, sepse nuk ka para ta paguajë gjobën. Kështu një tjetër familje kalon në skamje, në varfëri ekstreme, pa asnjë të ardhur edhe shtohet në listën e personave që kanë nevojë për ndihmë ekonomike nga shteti. Shteti, nga njëra anë e detyron atë familje të mbyllë aktivitetin, nëpërmjet gjobave të larta dhe aspak të justifikueshme, dhe nga ana tjetër me demek e ndihmon me ndihmë ekonomike, të cilën unë do ta quaja ndihmë qesharake (me vetëm 30 apo 50 mijë Lekë të vjetra në muaj).
Përse qytetarët e tjerë duhet të paguajnë taksa për të mbajtur këtë zonjë me familjen e saj dhe qindra-mijëra familje të tjera, kur kjo zonjë mund ta mbajë vetë familjën e saj, dhe nëse e lënë të punojë e qetë mund ta zgjerojë aktivitetin dhe të punësojë ndoshta edhe ndonjë person tjetër?! Përse shumë bizneseve të mëdha, që mund ta kenë shkelur ligjin me qindra herë nuk gjobiten, ndërsa ajo zonjë e mjerë që përpiqet të mbijetojë brenda një muaji gjobitet katër herë? Ah po, se ato bizneset e mëdha kanë me dhjetëra punonjës të padeklaruar dhe kush e di sesa mall të kaluar kontrabandë, ndërsa ajo zonja nuk ka prerë kuponin tatimor për një tufë presh apo një tufë sallatë!! Ajo ka bërë një krim shumë herë më të madh sesa superbossat e vendit tonë! Nuk jam pro gjobitjes së bizneseve, as atyre të mëdha e as të vogla, pasi bizneset përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë së vendit, punësojnë me mijëra qytetarë e kontribuojnë në buxhetin e shtetit nëpërmjet taksave. Por, kur për shkelje njëqindfish më të mëdha, të mëdhenjtë nuk preken ndërsa të vegjëlit shtypen, kurrësesi s’mund të jem dakord e të hesht. Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë ndaj trajtojini si të tillë, në të kundërt bëni një sy qorr e një vesh shurdh edhe për ata që thjeshtë kërkojnë të mbijetojnë e jo të pasurohen!
Lëreni “Nënë Zylen e lagjes time” të jetojë e të ushqejë fëmijët e saj. Lërini njerëzit të jetojnë se u keni vënë litarin në fyt dhe po ua merrni frymën pak e nga pak…
Diskutime rreth kësaj post