Kërkesa e ambasadorëve Lu dhe Vllahutin për të qenë të pranishëm në mbledhjet e grupeve parlamentare të PS, PD dhe LSI-së ka gjetur mbështetës, por edhe kundërshtarë mes politikanëve.
Spartak Ngjela është njëri prej mbështetjes së kësaj ndërhyrjeje, e cila, siç tha ai në Top Story këtë të hënë, nuk shkel asnjë sovranitet.
“Ambasadorët nuk shkelin sovranitetin e vendit”, tha ai.
Misioni i tyre në këto takime, sipas Avokatit, është vetëm një.
“Ata do të paraqitën në grupet parlamentare dhe do t’u thonë; po votuat kundër reformës jeni kundër nesh”, u shpreh ai.
Por një kundërshtar i këtyre ‘ndërhyrjeve’ është Paskal Milo, që të shtunën tha se ambasadorët “nuk duhet të kalojnë vijën e kuqe”. Në Top Story, ish-ministri i Jashtëm sqaroi kontekstin e deklaratës së bërë në forumet e partisë së vet.
“Deklarata vuri theksin tek mjerimi i klasës politike shqitpare dhe të këtij Parlamenti që detyron partnerët tanë të vijnë dhe të na mësojnë ABC e politikës dhe të bëjnë ndërmjetësime të tilla që janë të panjohura në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shteteve sovrane”, tha ai.
Milo fajësoi klasën politike që nuk ka mundur, sipas tij, të ngrejë akoma institucione të denja për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për BE-në.
Spartak Ngjela shprehu bindjen se reforma në drejtësi do të miratohet dhe kjo jo se e kërkon njëra apo tjetra palë politike në vend, përkundrazi, sipas tij, klasa politike nuk ka asgjë në dorë me këtë reformë.
“Në amendamentet kushtetuese ka mbi 3-4 dispozita që të tregojnë se çdo gjë që bie ndesh me BE-në, eleminohet. Reforma është tek BE-ja. Nuk kanë gjë në dorë as socialistët, as demokratët. Këta kanë vetëm presionin e popullit që do të hyjë në BE”, tha Ngjela.
Avokati argumentoi mendimin e tij duke interpretuar institucionet e reja dhe mënyrën e ngritjes dhe zgjedhjes së tyre nga ndërkombëtarët.
“Nuk zgjedh asgjë kjo maxhorancë! I zgjedhin ndërkombëtarët, edhe KLD-në e re, edhe Komisionin për Testimin e Gjyqtarëve, edhe Byronë e Hetimit. Këta kanë vetëm frikën në dorë”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post