Nga Andi Bushati
Në pamje të parë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për të larguar nga parlamenti deputetin e Jugut, Koço Kokëdhima është një ngjarje për të thërritur: “Fitore”.
Në kushte normale ajo do të tregonte se jetojmë në një republikë ku drejtësia është e pa ndikuar nga politika. Ku për shkak të ligjit, viktimë mund të bëhet edhe një nga deputetët simbole të shumicës, mdaje edhe miku më i ngushte i kryeministrit, me të cilin ai ka shpallur se do të kalojë ditët e pleqërisë.
Ku mjafton edhe një shkelje e vogël (2 milionë lekë të vjetra të fituara vetëm pak orë përpara se Kokëdhima të merrte mandatin), për të treguar se edhe deputetët janë njësoj si të tjerët, të barabartë përpara ligjit.
Me këtë retorikë mund të vazhdohej shumë më gjatë. Dikush mund të flasë për hapa galopantë të bërë që nga koha e Berishës, kur gjykatat as e shkonin nëpër mend të penalizonin të mbrojturit prej tij. Dikush tjetër mund të përmendë efektet pozitive që ka krijuar klima rreth reformës në drejtësi. Dhe disa më entuziastë mund të shpresojnë se më në fund po perëndon koha e të paprekshmëve.
Por, fatkeqësisht nuk është kështu.
Koha nuk është për të thërritur fitore.
Sepse rasti Kokëdhima është një përjashtim, jo një rregull.
Vërtet ai u penalizua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por kjo trupë nuk mund të vepronte ndryshe. E njëjta gjykatë, në kohën kur ishte në opozitë, pati marrë një vendim identik për Ilir Beqen dhe nuk mund të përdorte këtë herë një standart të ndryshëm.
Prandaj, duke parë pamundësinë e gjykatësve kushtetuesë për ta mbrojtur Kokëdhimën (rrezultati 8 me 1), mirë është të shohim se çfarë ndodhi në mjedisin rreth tyre. Mirë është të përpiqemi të kuptojmë si si u soll politika me një njeri që dyshohej për shkelje të ligjit themeltar të shtetit.
Fillimisht, shumica në parlament nuk pranoi ta çonte për gjykim rastin Kokëdhima. Ajo bëri gjithçka, për ta penguar këtë proces. U desh një tjetër demarsh i opozitës pranë gjykatës kushtetuese dhe një tjetër vendim i kësaj të fundit, për të mbërritur tek vendimi i këtij 9 maji.
Skema që u përdor në parlament u përsërit në mënyrë identike edhe në kongresin e PS-së. Kokëdhima, i cili dihej se do të penalizohej nga gjykata, u trajtua ndryshe nga të gjithë deputetët e tjerë. Ai qe i vetmi që pati luksin të votohej nga delegatët e forumit më të lartë të PS-së, duke gëzuar kështu privilegjin për të ruajtur postet drejtuese në parti edhe pas largimit nga kuvendi.
Po pse ndodhi kështu?
Pse socialistët bënë çështë e mundur për të anashkaluar ligjin në parlament dhe për ta shkelur atë brenda partisë së tyre ?
Kjo pyetje nuk mund të marrë shpjegim vetëm me arsyen simpliste të të qenit miku dhe guruja i Edi Ramës.
Ajo shkon përtej kësaj. Sepse Koço është një simbol.
Është simboli i atij hotelit të paprishur të bregdetit që u bë stimul i mëpasshëm edhe për botues të tjerë. Është simboli i përfitimit nga paratë publike, që nxiti grykësinë disa fish më të madhe edhe të rilindasve të tjerë. Eshtë simboli i emërimeve partiake në administratë, që tani dokumentohen në dhjetra lista.
Prandaj dita e largimit të tij nga palamenti, nuk është as një ditë e gëzuar, as një ditë që ngjall shpresë. Sepse për të mbëritur tek kjo ditë, kur Koço do të ikte, na u desh të shihnin për një kohë të gjatë, turmën e socialistave të thërrisnin: “Rroftë Koço”. (Lapsi.al)
Diskutime rreth kësaj post