Këngëtarja Rovena Dilo i është përgjigjur pretendimeve të dajës së saj, se ajo ka lidhje me mafiozët.
Në një intervistë për gazetën Panorama Dilo sqaruar këtë histori, ku në mes janë edhe Tom Doshi me Ndriçim Babasin.
“Në fakt, unë kam lidhje me një mafioz dhe për fatin tim të keq, kam lidhje gjaku me të. Ky mafioz i vetëm i jetës sime është daja im, Agroni, i cili guxon të çojë nëpër mend të bëjë mafiozllëqe me pronën e familjes sonë”, thotë Dilo për gazetën Panorama.
Pak ditë më parë, daja i saj, Agron Vreto deklaroi se ai ua ka shitur pronën politikanëve Ndriçim Babasi dhe Tom Doshi, pasi mbesa e tij, Rovena Dilo tentoi ta legalizonte me emrin e saj lokalin në qendër të Bllokut.
Por Rovena Dilo thotë se Vreto ka vetëm një pjesë të pronës.
“Daja im është një burrë i moshuar, i pamartuar dhe pa trashëgimtarë, dhe është një nga tetë fëmijët e gjyshit tim të ndjerë, Naim Vreto. Ai në pronën në fjalë dhe në të gjitha pronat e gjyshit, ka vetëm një të tetën”.
Dilo thotë se për blerjen e pronës u afrua fillimisht ish-deputeti demokrat, Ndriçim Babasi.
Kjo pasi ai donte të bënte një pallat. Më pas, kur PD ra nga nga pushteti, ai afroi Tom Doshin për ta bërë bashkëpronar të tokës së blerë.
“I pari që u afrua, ka qenë Ndriçim Babasi, i cili ka dashur ta ndërtojë këtë tokë. Nuk e ka realizuar dot në kohën kur në pushtet ishte partia në të cilën ai aderon, dhe kur në pushtet erdhi Partia Socialiste, ai u mundua t’i bashkëngjiste aferës një deputet të forcës aktuale në pushtet, për t’i pasur gjërat më të thjeshta, sipas logjikës së tyre të zhvatjes dhe të përfitimit. Ndriçim Babasi e di shumë mirë që kjo tokë është e familjes Vreto dhe ai, si bir i një familjeje me shumë fëmijë, e di shumë mirë dhe e ka shumë të qartë se pronat e familjes nuk janë të njërit, por janë të të gjithëve. Po kaq mirë këtë gjë e di edhe Tom Doshi, si një djalë malësie, se asnjë pronë nuk shitet me firmën e njërit prej trashëgimtarëve”, thotë Dilo.
“Kjo është një përpjekje e dështuar. Prona e nënës sime do të shitet apo do të tjetërsohet, kur nëna ime, tezet e mia dhe dajat e mi, do të hedhin firmën dhe do të vendosin për këtë gjë,” përfundon Dilo.
Diskutime rreth kësaj post