I nderuar Zoti Sekretar i Shtetit,
Kam nderin t’iu bëj një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve që janë zhvilluar në Shqipëri kohët e fundit.
Ashtu si edhe më kishin paralajmëruar përpara se të vija në këtë vend, njerëzit janë të dashur dhe miqësorë, dhe kanë një lloj fetishi të pashpjegueshëm ndaj të huajve. E kam fjalën për njerëzit e thjeshtë, pasi klasa politike, janë ca ngjala që nuk kapen as me gjethe fiku.
Megjithëse formimi im është diplomat karriere dhe kultura ime e origjinës është ajo kineze, çka do të thotë që e njoh artin e përdorimit të gjuhës dykuptimshe, këtu ajo ka arritur majat e saj. Sapo futem në takim me një nga përfaqësuesit e forcave politike, të gjithë më pohojnë se janë të gatshëm, dhe kur dal, nxjerrin ndonjë spurdhjak në TV, nga ata që nuk i pyet as roja i godinës së partisë së tyre, dhe më nxjerrin bishta.
Kjo ka të bëjë sidomos me çështjen që edhe ju vetë zoti Sekretar, e quani jetike, siç është ajo e reformës në drejtësi, të cilën e latë porosi edhe në vizitën që bëtë këtu.
Meqë ra fjala për reformën, përfitoj nga rasti t’iu pyes nëse e njihni një farë Spartak Ngjela. Ai ka një parti politike dhe del natë për natë dhe flet në FB, sikur i merr udhëzimet direkt e nga ju. Nëse është e vërtetë, ju lutem ma bëni me dijeni, pasi nuk dua që të krijojmë përplasje.
Për t’iu rikthyer temës, dua t’ju vë në dijeni se e kam shumë të vështirë të marr konsensusin. Këtu janë të gjithë hajdutë dhe unë vetë nuk e kuptoj sesi mund të japin konsensus për një punë që do t’i fusë në burg. Por megjithatë, më kanë thënë një frazë të famshme të tyre të cilën e kanë për zemër shumë politikanët e këtushëm, që pak a shumë në anglisht përkthehet “Ku ka ligje ka edhe shtigje”. Mesa duket kjo është edhe fabula e tyre. Mendojnë se do t’i bëjnë ligjet por do të gjejnë edhe mënyrat t’i shmangin.
I nderuar Zoti Kerri,
Kam frikë se kjo puna e ligjeve do të përfundojë si puna e dekriminalizimit. Nga ky ligj, ata që po e hanë janë ca ditëzinj që kanë bërë burg jashtë, sepse s’kanë ditur gjuhën dhe me paratë e fituara andej, kanë blerë nganjë vend pune, të cilin tani po e humbin. Deputetët dhe kryetarët e bashkive që i kam thënë edhe me emra, më ligjërojnë çdo ditë ekraneve.
Edhe reforma, më duket se do të përfundojë me ca gjykatës të Berishës që ikin dhe të Ramës që vijnë.
Gjithsesi, unë po e bëj timen. Por do ju lutesha, të kini mirësinë të kuptonit se në çfarë vendi të vështirë punoj. Kjo quhet syrgjynosje. Këta shpesh thonë që kjo lloj kulture e tyre është faj i pushtimit turk, por këta turkun do ta binin vërdallë 40 herë. Kaq të djallëzuar janë. Ndaj, kur të mbaroj periudhën e shërbimit, ose më nxirrni në pension të parakohshëm, ose më çoni në ndonjë vend që të mund të mbledh veten.
Me respekt
Donald Lu
Ambasador
Diskutime rreth kësaj post