Pas disa javësh në hetim, policia arrestoi në zyrën e tij, gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxhën, nën akuzën e korrupsionit. Në pranga ranë edhe 3 persona të tjerë mes të cilëve edhe i biri i gjyqtarit.
Djali i gjykatësit Ibrahim Hoxha u kap në flagrancë duke marrë një shifër prej 600 mijë lekësh me kushtin që i ati të jepte një vendim në favor të të arrestuarit tjetër, Dritan Jazexhiut.
Në tavolinë ku po kryhej dhënia e parave ndodhej edhe shtetasi, Nevruz Gajdja, i cili ishte sekseri. Ai akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm.
Policia në fakt kishte vënë në përgjim shtetasin Dritan Jazexhiu, ky i fundit pasi ka pasur disa konflikte pronësie të cilat kanë shkuar deri në përplasje me armë. Ai ishte plagosur më parë për këtë konflikt pronësie.
Gjatë përgjimeve rezultoi se Jazexhiu në bashkëpunim edhe me Nevruz Gajdja ishte duke ndikuar tek gjyqtari Ibrahim Hoxha për të paguar shifrën prej 600 mijë lekësh që të bëheshin fitues të procesit gjyqësor për pronësinë e disa apartamenteve në rrugën “Ferti Xhajko” në Tiranë.
Ndërsa në pritje të daljes së vendimit, i biri i gjyqtarit Ibrahim Hoxha shkoi në lokal për të marrë vlerën monetare për të cilën kishin rënë dakord me të arrestuarit e tjerë.
Ndërkohë mësohet se Hoxha ka qenë anëtar i trupës gjykuese për çështjen e 21 Janarit. Bëhet fjalë për gjykimin e dosjes së Armando Kasajt, i cili akuzohej se kishte fshirë serverin e kamerave të Kryeministrisë më 21 janar.
Diskutime rreth kësaj post