Parku i ri i qytetit, në Korçë, me një sy fare të lirë duket që është një investim me vlerë të shtuar jo vetëm financiare, por edhe estetike e arkitekturore. Ai është kthyer në një destinacion të këndshëm çlodhjeje dhe argëtimi jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe vizitorët, që zgjedhin Korçën, edhe sepse aty ka një park.
Korça, kurrë nuk ka pasur një tren. Në park, tani ka dhe një tren të vogël lodrash me të cilin “udhëtojnë” fëmijët. Vetëm për shkak të tij janë punësuar të paktën 6 persona të tjerë, që dikur ishin të papunë. Të ardhurat që krijon bashkia shkojnë deri edhe në 20 mijë lekë në ditë vetëm nga ky tren i vogël. Bizneset që janë rrotull parkut dhe disa brenda tij thonë se xhiro është rritur kënaqshëm për shkak të rritjes së fluksit të vizitorëve në parkun e rregulluar. Por edhe për shkak të trenit, më shumë fëmijë tërheqin prindërit drejt kësaj zone për të shpenzuar aty jo vetëm kohë, por edhe para…
Ky shembull, edhe pse me një tren lodër e të vogël në Korçë, tregon se çdo projekt zhvillimi, pavarësisht karakterit funksional të tij, (kulturor, social, argëtimi etj.) nuk mund të zhvishet nga efekti që sjell në ekonominë lokale apo kombëtare. Madje, efektet ekonomike duhet të jenë pjesë e kritereve të leverdishmërisë të çdo projekti urban.
Megjithëse mazhoranca e sotme erdhi me një platformë politike të votuar qartë nga një shumicë dërrmuese shqiptarësh për një rilindje urbane, debati rreth këtyre çështjeve është bërë më intensiv kohët e fundit, pasi dy nga “kryeveprat” e pretenduara, stadiumi i ri kombëtar në kryeqytet dhe sheshi “Skënderbej”, po marrin formë.
Por, fatkeqësisht, deri tani, gjithë “kacafytjet” mediatike kanë ndodhur për çështje të karakterit mjedisor, estetik, arkitekturor etj. Pak është folur se si këto projekte, apo të tjera të ngjashme në qytete e zona të tjera të vendit rrinë në gjithë pjesën e jetës urbane sociale ekonomike dhe aspak fare për efektet zinxhir që u vijnë ekonomive lokale apo individuale. Fjala vjen, ndërtimi i stadiumit aty ku është a do të sjellë përqendrim të lëvizjes së njerëzve dhe bizneseve në qendër të Tiranës, duke sjellë fokusin e investimeve vetëm në pak zona, duke lënë zbuluar të tjera hapësira. Çfarë do të ndodhë me bizneset periferike. Sa do të jetë vlerësimi apo zhvlerësimi i pronave. Si do të orientohet transporti urban në Tiranë nga bllokimi i sheshit? Ai i zhvendos qendrat ekonomike rikompozimi i transportit a zhvendos? A shfarosen disa vatra të energjisë së sipërmarrjes dhe lindin të tjera, sa do të jetë rikapitalizimi i pronës apo amortizimi i saj? Sa i afektojnë këto investime urbane ekonomitë në perspektivën afatgjatë? Në tërësinë e tyre, këto ndërhyrje urbane janë pjesë të copëtuara apo pjesë e një projekti të madh që udhëheq, apo ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ka shumë pyetje të këtij karakteri që duan përgjigje. Fatkeqësisht ky debat nuk po bëhet. Jo se mungojnë njerëzit, por debati ndoshta qëllimisht orientohet vetëm në njërën anë, ose ndoshta projektet nuk shoqërohen fare me fizibilitetin ekonomik dhe janë thjesht teka udhëheqësish, ose ndoshta projekte të tilla janë mediokre.
E sollëm në vëmendje trenin e vogël të Korçës pikërisht si një simbol që investimet duhet të kenë vizion afatgjatë dhe të kenë sens ekonomik (pra të jenë produktive, jo thjesht pak beton apo ngjyra më shumë). Dhe përsa kohë që këto janë investime afatgjata, që do të mbesin në kohë, e rëndësishme është të jenë sa më gjithpërfshirëse. / monitor
Diskutime rreth kësaj post