Një aksident i rëndë i kushtoi jetën dy kushërinjve, ndërsa dy vëllezër gjenden të plagosur në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Tre vëllezërit Rexhepi dhe kushëriri i tyre Fitim Nelku po ktheheshin nga puna në Shupenz Dibër me mjetin e tyre tip Benz me targa “AA923FH” dhe pikërisht në vendin e quajtur tuneli i Shkopetit në dalje mjeti nuk ka ndjekur trajektoren normale të rrugës, por në kthesë, ndoshta si pasojë e shpejtësisë, ka kapërcyer një bordurë të ulët të ngritur me disa hekura në anë të rrugë duke përfunduar në humnerë.
Si pasojë kanë humbur jetën njëri nga vëllezerit Rexhepi, Afrimi, si dhe kushëriri i tyre Fitim Nelku.
Policia e Lezhës dhe Kurbinit mbërritën në vendngjarje dhe kanë bërë dërgimin e të plagosurve në spitalin e Laçit.
Sipas policisë, mjeti nuk ka ndjekur trajektoren normale dhe ka rënë nga një lartësi e madhe duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy personave.
Fatmirësisht mjeti nuk ka përfunduar në ujërat e liqenit të Hidrocentralit të Shkopetit, ku do të rrezikohej jeta edhe e dy të mbijetuarve.
Aktualisht ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe do merren në pyetje për të mësuar shkaqet e ngjarjes së rëndë.
Diskutime rreth kësaj post