Arben Frroku, i dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, është arrestuar në Holandë.
Zërat për ndalimin e tij nga autoritetet holandeze qarkullonin prej dy ditësh në vendin tonë dhe këtë të enjte mbërrin konfirmimi i Policisë së Shtetit ku raportohet se Frroku ndodhej në Holandë me një identitet të rremë.
Në prill 2015 Frroku fitoi pafajësinë nga Gjykata e Shkallës së Parë që refuzoi kërkesën e Prokurorisë për të dhënë burgim të përjetshëm për të, duke e shpallur të pafajshëm për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.
Pasi e mbajti nën gjykim për 13 muaj rresht, Gjykata e Shkallës së Parë tha se provat e Prokurorisë ishin të servirura qëllimisht, kurse rrëfimi i dëshmitarit të mbrojtur nga shteti u cilësuan si kontradiktor.
Menjëherë pas këtij vendimi biznesmeni Arben Frroku la ambientet e paraburgimit, ku edhe u mbajt gjatë gjykimit.
Përballë vendimit të Shkallës së Parë, Prokuroria vendosi të apelojë çështjen. Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda doli në qershor me një vendim krejt të kundërt me atë të Shkallës së Parë, duke e gjetur fajtor Arben Frrokun dhe duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm.
Megjithatë, ndoshta edhe në dijeni të këtij vendimi, Arben Frroku kishte lënë Shqipërinë, ndërsa avokati i tij tha se ishte një vendim i marrë nën presion dhe paralajmëroi rekurs.
“Është një vendim nën presion. Ka kohë që drejtësia është nën presion. Megjithatë ne do të ndjekim rrugën ligjore, pasi nuk kemi shteg tjetër për të kundërshtuar. Nuk e di ku ndodhet Frroku. Ka qenë para dy javësh jashtë dhe është deklaruar mungesa. Është një procedurë normale. Nuk jemi në kontakt me të. Çështja do të ndjekë rrugën proceduriale dhe brenda tri ditëve bëhet rekurs”, tha Genc Gjokutaj, avokati i Arben Frrokut.
Dritan Lamaj, ish-shef i Komisariatit nr.6 në Tiranë dhe me një përvojë 20-vjeçare në radhët e uniformave blu, u ekzekutua nga breshëri kallashnikovi në zonën e “Vasil Shantos” në shkurt të 2013, teksa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij.
Diskutime rreth kësaj post