Dy vjet më parë, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, në një takim me gazetarët tha se brenda 6 muajve, dosja “21 Janari” do të merrej në shqyrtim nga kolegji penal i caktuar për gjykimin e kësaj çështjeje.
Të njëjtën deklaratë, Zaganjori e përsëriti sërish para gazetarëve pak javë më parë, kur tha se kjo çështje do të shqyrtohet brenda pak kohe.
Këtë herë, gjyqtarët e çështjes nuk e nxorën blof kryetarin e tyre, pasi e shqyrtuan çështjen brenda pak muajsh.
Por vendimi ishte i papritur.
“Mospranim i rekursit të prokurorisë për çështjen penale me të pandehur Ndrea Prendin dhe Agim Llupon”, kështu janë shprehur pesë gjykatësit e lartë, pasi shqyrtuan kërkesën e prokurorisë dhe dosjen e pagëzuar tashmë me emrin “21 Janari”.
Për të dalë në këtë konkluzion, gjykatësve ju deshën plot 2 vjet e gjysmë nga koha kur prokuroria dërgoi për gjykim dy të pandehurit e akuzuar për tri vrasje, përgjatë protestave të opozitës së kohës, zhvilluar më 21 janar të vitit 2011.
Mospranimi i rekursit do të thotë mbyllja përfundimtare e një prej proceseve më të bujshme të drejtësisë shqiptare, i cili tashmë do të mbajë vulën e mbylljes me procedurë.
Sipas burimeve të rezervuara, shkruan gazeta Mapo, mësohet se vendimi është marrë të premten e javës së shkuar nga gjyqtarët Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Shkëlzen Selimi.
Ata nuk kanë njoftuar askënd për këtë vendim, madje as sekretarinë e Gjykatës së Lartë, ndërsa ky institucion ende nuk ka bërë një njoftim për mediat.
Gjykatësit kanë shfrytëzuar një të drejtë ligjore, e cila jo vetëm varros përfundimisht çështjen, por nuk i detyron ata të japin një arsyetim përse kanë vendosur mospranimin e rekursit në dhomën e këshillimit, pa e kaluar çështjen më parë në shqyrtim gjyqësor.
Më 28 tetor të 2013-s, Prokuroria iu drejtua Gjykatës së Lartë, duke mos pranuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit ndaj ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe vartësit të tij Agim Llupo, të cilët u dënuan nga Gjykata e Apelit për vrasje nga pakujdesia.
Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg ndërsa ish-gardisti, Agim Llupo, me 3 vjet heqje lirie. Gjyqtarët Ervin Metalla (Kryesues), Evgjeni Sinojmeri (Anëtare) dhe Agim Bendo (Anëtar) i shpallën fajtor Prendin dhe Llupon, për veprën “Vrasje nga pakujdesia”.
Në një vendim prej 23 faqesh, me dy vota pro dhe një kundër, Gjykata e Apelit ka renditur të gjitha argumentet, përse prishi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që u kishte dhënë pafajësinë dy të pandehurve, Prendi dhe Llupo.
Mes të tjerash, gjykata arsyeton se “përdorimi i forcës nga të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, duke qëlluar me armë zjarri në ajër në rastin e sulmit që iu bë viktimave të Gardës dhe objektit të Kryeministrisë, si objekt i rëndësisë së veçantë më datë 21 janar 2011, pas paralajmërimeve përkatëse ishte i bazuar në ligj, por jo proporcional në raport me viktimat Faik Myrtaj e Ziver Veizi, të cilët nuk bënin pjesë te protestuesit, pjesë aktive e sulmit”.
Mandej, arsyetohet se “Gjykata e Apelit, në ndryshim nga Gjykata e Shkallës së Parë, çmon se i pandehuri Ndrea Prendi dhe i pandehuri Agim Llupo kishin detyrimin objektiv dhe mundësinë subjektive për të parashikuar se mënyra sesi ata qëllonin me armë zjarri në ajër, me fishekë luftarakë mund të sillte pasojat që erdhën në fakt. Fakti që kanë qëlluar në ajër, pra, jo drejt viktimave, nuk i çliron të pandehurit nga përgjegjësia që ata kanë për të qëlluar në këndin dhe mënyrën e duhur në ajër”.
Diskutime rreth kësaj post