Dy shoferëve, të cilët punonin për një kompani private që u shërbente parlamentarëve europianë, u janë gjetur disqe me përmbajtje propagandistike për militantët e të ashtuquajturit Shteti Islamik.
Kjo bëhet e ditur nga revista gjermane “Der Spiegel”. Duke cituar një sërë burimesh të paidentifikuara, e përjavshmja pretendon se, të dy shoferët, njëri në Bruksel e tjetri në Strasburg, janë shkarkuar nga puna dhe se policia belge ka nisur hetimet.
Parlamenti Europian refuzoi të komentonte për shkak të rrethanave të sigurisë. As policia belge nuk u tregua e gatshme për të komentuar.
Sipas “Der Spiegel”, duke marrë në konsideratë sinjalizimet e tjera se, disa shoferë kishin precedentë penalë, Parlamenti Europian vendosi të hënën të mos punësonte më personel privat, por vetëm shoferë të punësuar drejtpërdrejt nga legjislativi, me një kosto shtesë prej 3.7 milionë eurosh.
Revista pretendon se, 65 shoferë punojnë aktualisht në Bruksel për 751 europalamentarët dhe 85 në Strasburg, përpos 23 shoferëve që janë të punësuar nga Parlamenti. Niveli i alarmit vazhdon të jetë i lartë në Belgjikë, pas sulmeve të 22 marsit, kur 32 persona u vranë në Aeroportin e Zaventemit dhe metronë e Maalbekut.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post