Nga Ornela Liperi
Mos u lodhni me Panamanë! Parajsa e kompanive që veprojnë në Shqipëri janë ishujt Cayman. 45% e koncesionarëve të naftës janë nga ky ishull ekzotik. Si përdoret zinxhiri offshore për të rritur shpenzimet e shmangur taksat e koncesionarëve.
UNCTAD i Kombeve të Bashkuara në një raport të fundit konstaton se sa më shumë investime nga parajsat fiskale, aq më pak qeveritë tatojnë fitimet. Në Shqipëri, renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftën dhe pasuri të tjera natyrore nuk i ka kaluar 100 milionë euro në vit, apo rreth 3-4% të totalit të të ardhurave në buxhet, ndërsa eksporti i burimeve natyrore, pa vlerë të shtuar, ka zënë edhe gati një të tretën e totalit të shitjeve jashtë vendit.
Kur të gjithë i kanë kthyer sytë te skandali i dokumenteve të Panamasë, që ekspozuan hapur guaskat e përtej detit, për kompanitë që kanë hyrë e veprojnë në Shqipëri, parajsa ka qenë diku gjetkë, jo shumë larg, në Detin e Karaibeve, në ishujt e Cayman. Zona ekzotike ka qenë një magnet për kompanitë e naftës që kanë hyrë në tregun shqiptar. Nga 9 shoqëritë, me të cilat autoritetet shqiptare kanë nënshkruar marrëveshje të ndryshme koncesionare zhvillimi apo shfrytëzimi pas viteve 2000, tre prej tyre e kanë origjinën nga ishujt Cayman, një nga Ishujt Virxhin dhe pesë të tjera nga shtete të tjera në Europë (shiko tabelën në fund). Statistikisht, 45% e kontratave koncesionare të shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore të vendit u janë dhënë kompanive të ashtuquajtura “offshore” (përtej detit), që e preferojnë këtë formë, pasi në këtë mënyrë arrijnë të fshehin ose aksionerët ose origjinën e parave të investuara, apo të dyja bashkë. Kontrata këto që nuk kanë qenë aspak sekret dhe kanë lulëzuar në vite e po vazhdojnë edhe ditët e sotme.
Ndonëse nuk ka asgjë të jashtëligjshme në këto marrëveshje (Ministria e Industrisë nxitoi ta sqaronte këtë), debati përqendrohet në raportin kosto- përfitime në ekonominë e vendit nga kjo mani për të dhënë pasuritë natyrore tek kompania, që nuk u dihet as origjina e parave as e pronarit të vërtetë. UNCTAD (Programi i vlerësimit të investimeve të huaja nga Kombet e Bashkuara)në një raport të fundit konstaton se sa më shumë investime nga parajsat fiskale, aq më pak qeveritë tatojnë fitimet. Sipas raportit, vendet në zhvillim nuk kanë kapacitete për t’u marrë me praktika shumë të ndërlikuara të shmangies së taksave.
Monitor e ka trajtuar gjerësisht më parë ndikimin e ulët të pasurive të dhëna me koncesion në ekonomi, sidomos ato të naftës. Të dhënat nga bilancet e 14 operatorëve kryesorë koncesionarë në vend, disa prej të cilëve janë aktivë prej vitesh, tregojnë se teksa ata realizuan një xhiro prej rreth 700 milionë eurosh në 2014-n (rreth 6-7% e asaj që ekonomia prodhon në një vit), kanë paguar vetëm 2.7% të totalit të tatim fitimit të vitit në fjalë, ndërsa kanë rreth 3000 të punësuar, vetëm 1% e totalit të të punësuarve në vend, sipas INSTAT. Renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftën dhe pasuri të tjera natyrore nuk i ka kaluar 100 milionë euro në vit, apo rreth 3-4% të totalit të të ardhurave në buxhet, ndërsa eksporti i burimeve natyrore, pa vlerë të shtuar, zuri gati një të tretën e totalit të shitjeve jashtë vendit (kjo peshë ka rënë aktualisht si rrjedhojë e uljes së çmimeve të produkteve). Shifrat tregojnë qartë se është absurde sa pak përkthehet pesha e stërmadhe që zënë koncesionet në ekonomi, në rritjen e mirëqenies për qytetarët shqiptarë.
Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta të naftës, që arrijnë deri në 400 milionë tonë, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar, për shkak të investimeve të larta për kërkim. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore është e njohur se 40 milionë tonë janë të pashfrytëzuara, ndërsa 50 milionë tonë janë tashmë të shfrytëzuara.
Duke filluar nga viti 2004, në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar kontrata dhe veprojnë apo kanë vepruar 9 kompani (Bankers Petroleum Albania Ltd; Sherwood International Petroleum Ltd; Transoilgroup sh.a; Transatlantic Albania-ish Stream Oil; Phoenix Petroleum sh.a; Petromanas dhe Royal Dutch Shell; IEC Visoka; SAN LEON DURRESI B.V; Capricon (Orion Albania Limited). Nga këto, 4 janë të regjistruara në parajsat fiskale: Bankers Petroleum, Ish Stream Oil, Sherwood, IEC Visoka. Zinxhiri i offshore shtrihet deri ne nënkontraktorët e tyre (Phoenix Technology). Nga kompanitë e njohura, vetëm Shell vepron në Shqipëri, e angazhuar në kërkimet për naftë në Shpirag e Molisht.
Asnjë nga kompanitë nuk ka rezultuar ende me fitim dhe Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë pothuajse asgjë nga vitet e arta 2011-2014 kur ari i zi në tregun ndërkombëtar luhatej në 120 dollarë për fuçi (nga rreth 30 dollarë që luhatet sot). Ndërsa renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftë dhe pasuri të tjera nuk i ka kaluar 100 milionë eurot në vit.
Më poshtë i gjeni të detajuara kompanitë koncesionare shqiptare të regjistruara në offshore dhe dokumentet përkatëse.
Bankers, i pari që “eksperimentoi” me Ishujt Cayman
E krijuar më 15 prill në Ishujt Cayman, Saxon International Energy (sot Bankers Petroleum) është regjistruar në Shqipëri vetëm disa ditë më vonë, më 22 prill, ndërsa ka lidhur kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare të asaj kohe për të shfrytëzuar fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës.
Në vitin 2006, kompania ndryshoi emrin në Bankers Petroleum, por adresa e shoqërisë mbeti e njëjtë. Në të gjitha dokumentet që Bankers ka të depozituara në QKR deri në veprimin e fundit në shkurt të këtij viti, adresa e raportuar e kompanisë mbetet në Ishujt Cayman.
Një grup inxhinierësh në 2004-n eksperimentuan në fushën naftëmbajtëse shqiptare, që nuk kishin pranuar ta merrnin me koncesion kompani të njohura si Shell, që pas analizës u kishte dalë e paleverdishme. Fati u buzëqeshi ideatorëve të Saxon, teksa nga rreth 30 dollarë për fuçi në atë kohë, çmimi arriti deri në 120 dollarë në 2009-n dhe qëndroi në nivele të larta deri në fillim të 2015-n (shih grafikun). Por, fati nuk i buzëqeshi dhe aq shumë qeverisë shqiptare, që nuk arriti t’i marrë tatim fitimi prej 50% kompanisë, që u favorizua nga marrëveshja koncesionare (Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori). Vetëm në dhjetor, Bankers u detyrua të fillojë të paguajë me këste 53 milionë dollarë tatim fitimi, pasi tatimet nuk i njohën rreth 300 milionë dollarë shpenzime kapitale të vitit 2011.
Së fundmi, Bankers njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje definitive me Alberta Ltd. (blerësi) dhe Charter Power Investment Limited për blerjen e të gjitha aksioneve të Bankers (Bankers Shares) me një çmim cash prej 2.20 për aksion (Bankers Share). Blerësi dhe Charter Power janë degë të Geo-Jade Petroleum Corporation (Geo-Jade), një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë. Marrëveshja e vlerëson Bankers në rreth 575 milionë dollarë kanadezë (C$) përpara vlerësimit të borxheve të papaguara të Bankers. Kjo shumë është e barabartë me 407 milionë dollarë.
Bankers: Kemi riinvestuar 100% të të ardhurave të gjeneruara në Shqipëri
Burime zyrtare të Bankers pohuan se zyra qendrore e Bankers Petroleum ndodhet në Alberta, Kanada ku ekspertët e naftës së rëndë nga zonat kanadeze të naftës aplikojnë ekspertizën e tyre teknike tek operacionet e Bankers në Shqipëri. Duke përdorur teknikat e zhvilluara perëndimore, Bankers ka dyfishuar rezervat dhe ka rritur prodhimin në nivelet më të larta si kurrë më parë në historinë 85-vjeçare të Patos-Marinzës.
Bankers Petroleum Ltd zotëron degë të ndryshme, duke përfshirë Bankers Petroleum International Limited (rregjistruar në Ishujt Jersey-Britani e Madhe) i cili zotëron Bankers Petroleum Albania Ltd (rregjistruar në ishujt Kajman).
Biznesi në Shqipëri kryhet përmes degës së kompanisë në Cayman, rregjistruar në Shqipëri e cila është subjekt i taksave dhe rentës së shtetit shqiptar. Megjithëse Bankers e ka bazën jashtë vendit dhe ka një strukturë ndërkombëtarë, kompania ka riinvestuar 100% të të ardhurave të gjeneruara në Shqipëri sërish në operacionet në vend, përfundojnë burimet zyrtare të Bankers.
Edhe Stream Oil, “xhiro” nga offshore në offshore
Ish-Stream Oil (sot Transatlantic Petroleum), një tjetër kompani që shfrytëzon me koncesion 4 vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës, që ka hyrë në Shqipëri në vitin 2007, ka dhe ajo origjinë nga Ishujt Cayman, sipas dokumenteve fillestare të dorëzuara tek autoritetet shqiptare. Njësoj si në rastin e Saxon, Stream është krijuar në ishujt Cayman më 11 qershor 2007, ndërsa ka hyrë në Shqipëri pak muaj më vonë, në tetor 2007. Ndërsa në rastin e Bankers gjetja e një investitori serioz dukej e vështirë, pasi çmimet e naftës ishin rreth 30 dollarë, në 2007-n i kishte kaluar 70 dollarë për të nisur me pas ngjitjen që u ndal në 2015.
Në fund të vitit 2014, kompania u ble nga Transatlantic Petroleum, me seli në Bermuda (destinacion i njohur offshore), që pas një viti e ka nxjerrë në shitje. Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur së fundmi se ka marrë ka marrë njoftimin e transaksionit të realizuar në bazë të “Memorandumit të Mirëkuptimit” i nënshkruar midis Continental Oil & Gas (Blerësi) dhe Transatlantic Petroleium Ltd. (Shitësi), më datë 14 janar 2016, me objekt përftimin e kontrollit të plotë dhe të vetëm, nga Continental Oil & Gas të Stream Oil & Gas Ltd. (Targeti), me anë të përftimit të të gjithë kapitalit aksioner në këtë të fundit. Continental Oil & Gas, sipas AK, është një shoqëri e aksionere e Delaware, me seli në 16192 CoastalHighway, Lewes, Delaware, USA. Edhe Delaware është i njohur si destinacion offshore.
Blerësi i ri ka shkaktuar konfuzion. Në faqen e vet zyrtare, Transatlantik njoftoi në fillim të marsit të këtij viti shitjen e operacioneve në Shqipëri tek GBC Oil Company Ltd (një kompani fantazmë për të cilën nuk mund të gjesh info në internet, por mësohet se inicialet i përkojnë me Gorisht-Ballsh-Cakran). Ndërsa te konkurrenca, blerësi është paraqitur si Continental Oil & Gas nga SHBA e sipërpërmendur), në një përpjekje për të humbur gjurmët (mësohet se pas qëndron e njëjta kompani, Phoenix Petroelum që ka tashmë 9 vendburime me koncesion dhe po synon të marrë dhe 4 të tjera, duke zotëruar 13 vendburime, nga 16, që ka gjithsej Albpetrol, kompania shtetërore, që menaxhon këto burime)./Monitor/
Diskutime rreth kësaj post