Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në konsultimin e hapur me banorët e njësisë nr. 10 për projektin e sheshit “Skëndërbej” tha se kryeqyteti do të kthehet në hapësirë për të gjithë qytetarët.
“Filozofia jonë është që të jemi një qytet për njerëzit dhe projekti për sheshin ‘Skënderbej’ e realizon këtë gjë. Si çdo punë e mirë edhe kjo do të ketë armiqtë e vetë. Sa herë punohet shtohet histeria. Do të punohet gjithandej sepse Tirana ka humbur shumë kohë. Ne po punojmë në Yzberisht, tek Pazari i Ri, në Petrelë, në Tufinë, po punohet kudo në Tiranë”, deklaroi Veliaj gjatë fjalës së tij.
Po kështu, kryebashkiaku vuri në dukje se investimet që po bëhen në Tiranë, kanë rritur me 30 % vlerën e pronës.
Veliaj rikonfirmoi edhe njëherë vendosmërinë për të realizuar projektin për parkun e fëmijëve. “Parku do të bëhet, fëmijët do të luajnë dhe ne nuk do të zbrapsemi. Tirana nuk do të shkatërrohet, por do të ndërtohet. Tirana do të bëhet qyteti i ëndrrave tona”, përfundoi ai.
Diskutime rreth kësaj post