Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është angazhuar sot edhe fizikisht në mbrojtje të Parkut të Liqenit, duke përkrahur përfaqësuesit e shoqërisë civile që protestojnë kundër këndit të fëmijëve. Por për të shkuar deri te vendi ku po ndërtohet këndi i lojërave, ai ka shkelur edhe një nga rregullat e vendosura prej vitesh në këtë liqen: Ndalimin e lëvizjeve me makina në zonën e parkut.
Nishani ka hyrë në park me makinën e tij dhe gjithë makinat e tjera të eskortës, duke bërë kështu një përjashtim jo vetëm nga gjithë qytetarët e tjerë, por edhe nga gjithë zyrtarët e lartë shtetëror apo përfaqësuesit e trupit diplomatik, të cilët sa herë u është dashur të shkojnë në aktivitete në Parkun e Liqenit, janë detyruar që të lënë makinën e tyre jashtë perimetrit të ndaluar të liqenit.
Por, skandali është edhe më i madh kur truprojat e Nishanit kanë prishur pistonat e pengesave elektronike në hyrje të parkut, të cilat gjatë kohës që Nishani kishte hyrë me makinë në park, i mbanin me këmbë që të mos ngriheshin sërish.
Një ditë më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të evidentonte pikërisht këtë fakt, se Presidenti ishte i vetmi person në Shqipëri që kishte vilë te Kodrat e Liqenit dhe hynte me eskortë në park.
Diskutime rreth kësaj post