Referendumi i së shtunës dominoi mbledhjen e përjavëshme të grupit parlamentar socialist. Protagonist, i njëjti. Ben Blushi, i cili përpara kolegëve deputetë ripërsëriti akuzat për parregullësi, duke e vënë theksin tek pjesëmarrja.
“Unë jam i bindur që kutitë janë mbushur dhe pjesëmarrja ishte shumë më e ulët. Pavarësisht kësaj, kam kërkuar që të dorëzohen materialet zgjedhore kuti më kuti, pasi ende sot s’ka asnjë rezultat për referendumin. Dua që të ketë shifra në mënyrë që të ketë mundësi për të verifikuar”, deklaroi Blushi.
Por kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, duke iu përgjigjur Blushit e ka quajtuar çështjen e referendumit një histori të mbyllur. “Me këto pakënaqësi dhe pretendime drejtohu në gjykatën e partisë, Komisionin e Garancive Statutore”, citohet të jetë shprehur Ruçi.
Duke vënë në përdorim ironinë e shkrimtarit, Ben Blushi solli në vëmendje të publikut një deklaratë të huazuar nga socialistët francezë.
“Mos i bëni zgjedhjet si zgjedhjet e socialistëve shqiptarë, “al albanais”. Pra, mënyra, standardi që ne krijuam me këtë referendum, me heqjen e së drejtës së kandidimit dhe zgjedhjes, po kthehet në një standard qesharak. Europa po na tall, kjo është e gjitha”, tha Blushi.
Blushi nuk i dha përgjigje pyetjes se çfarë do të bëjë me atë që ai e qujti “liri të fituar” pas këtij referendumi, të cilësuar prej tij si një mohim nga kryesocialisti Edi Rama e së drejtës për të kandiduar.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post