Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, nëpërmjet një komunikate për mediat ka uruar Hashim Thaçin për marrjen e detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, ku thotë se Thaçi është një patriot dhe mbrojtës i denjë i popullit të Kosovës.
“Ofroj urimet personale për presidentin e ri të Kosovës, Hashim Thaçi. E njoh presidentin Thaçi për shumë vite. Ai është një patriot dhe mbrojtës i denjë i popullit të Kosovës. I dëshiroj punë të mbarë dhe shpresoj se do të bashkëpunoj me të në pozitën e tij të re”, thuhet në telegramin e urimit të Engelit.
Engel, gjithashtu ka falënderuar edhe ish-presidenten Atifete Jahjaga, e cila sot la zyrën ku shërbeu për pesë vite.
“Do të dëshiroja po ashtu të falënderoj presidenten në ikje, Atifete Jahjaga për vitet e saj në shërbim të vendit. Ajo ishte një faktor uniteti përgjatë disa viteve të vështira dhe kohërave përçarëse për shtetin e saj. Ajo gjithmonë shërbeu me nder. E di se e ardhmja e saj premton arritje edhe më të mëdha”, thekson Engel.
Sipas Engelit, rruga deri te zgjedhja e Thaçit president ka qenë sfiduese dhe shpesh e hidhur. “Përderisa debati publik është çelësi i demokracisë, shpeshherë ai debat ka përshkallëzuar në dhunë në rrugën për zgjedhjen e presidentit. Të gjithë kosovarët duhet ta dinë se koha për ta kundërshtuar këtë proces ka përfunduar, dhe tashmë është momenti që vendi të bëhet bashkë”, thuhet më tej.
Engels thotë se si shumë të tjerë dëshiron që Kosovën ta shoh si një vend të fortë e prosperues, me një të ardhme në aleancën Euro-Atlantike. “Kjo është edhe arsyeja pse është e një rëndësie të madhe për Kosovën t’i rikthehet strukturave demokratike mbi të cilat u ngrit shteti. Liderët kosovarë duhet të punojnë shumë që të godasin korrupsionin dhe të ndihmojnë për të zgjeruar mundësitë për qytetarët e Kosovës. Po ashtu, kundërshtarët në Evropë dhe botë më në fund duhet ta njohin Republikën e Kosovës. Vitet në vazhdim nuk do të jenë të lehta, por Kosova asnjëherë nuk mund t’i bëj ballë këtyre sfidave nëse shteti vazhdon të jetë dhimbshëm i ndarë.
Në fund të telegramit të Engels thuhet se “meqë Kosova kthen faqen e re me një president të ri për një të ardhme të re, shpresoj që Kosova do të kap momentin për të ecur përpara si një shtet me një të ardhme të ndritshme dhe prosperuese para vetes”.
Diskutime rreth kësaj post