Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ushtarake kanë nisur operacionin për nxjerrjen e helikopterit qe u rrezua dje në zonën e fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe, ku humbën jetën dy pilotë dhe një i tretë mbeti i plagosur.
Nga krahu tjetër mësohet se Prokuroria e Shkodrës ka nisur një hetim lidhur me shkaqet e rënies së helikopterit, 200 metra larg bregut të liqenit të Shkodrës në fshatin Grizhë. Gjatë ditës së djeshme janë bërë me dije dhe emrat e viktimave, kapiten Florian Deliaj dhe togeri Donald Hoxha, teksa i plagosuri është Gerald Baramuça, ky i fundit është jashtë rrezikut për jetën.
Në një dalje për mediat, ditën e mërkurë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneral major Jeronim Bazo tha se është ende herët për të folur mbi shkaqet e aksidentit tragjik. Bazo tha se helikopteri ka përshkuar trajektoren e planifikuar në bazë të intenerarit stërvitor. Ai sqaroi se pilotët janë me një përvojë të lavdërueshme në fushën drejtimit, madje të trajnuar brenda dhe jashtë vendit.
Helikopteri “EC 145” kishte 6 muaj që ishte marrë në përdorim nga Forcat e Armatosura dhe ai ishte brenda garancisë së dhenë nga kompania ku ishte blerë. Ndërkohë, ushtari i plagosur Gerald Baramuça ndodhet në Spitalin Rajonal të Shkodrës, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Diskutime rreth kësaj post