Policia kufitare në Kakavijë ka sekuestruar mëngjesin e sotëm 6 kilogramë e 456 gramë flori si dhe ka nisur procedimin penal për tre shtetas rumunë, të cilët kanë tentuar të shmangin detyrimet doganore.
Mësohet se këta persona udhëtonin nga Greqia për në Shqipëri me mjetin me targë MAAK256, në të cilin u gjet dhe sasia e mallit dhe një peshore elektronike.
Pas hyrjes në territorin shqiptar, mjeti u kalua për kontroll më të detajuar në vijën e dytë dhe gjatë kontrollit, në kroskot dhe kokat e pasme të sediljeve u gjetën 7 çorape, brenda të cilave u konstatuan 21 copë zinxhirë të verdhë, të dyshuar flori. Nga peshimi rezultoi se pesha e tyre ishte afërsisht 6456 gram.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore filloi procedimi penal në gjendje të lirë i të tre shtetasve Rumunë, P.S., 46 vjeç, me automjetin tip “Volsvagen” me targa MAAK 256, S.S., 41 vjeç dhe Dh.S., 27 vjeç.
Lidhur me rastin, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Mosdeklarim të hollash dhe të sendeve me vlerë”.
Diskutime rreth kësaj post