Ka rezultuar serioz dëmtimi i 44 vjeçares, Ludina Sinani, polices bashkiake që mbeti e lënduar gjatë protestës së zhvilluar nga PD ditën e hënë kundër këndit të fëmijëve në parkun e liqenit. Klavikula e saj që lidh pjesën krahun me qafën ka pësuar këputje pas goditjes dhe forcës së ushtruar nga protestuesit, ndaj edhe mjekët i kanë vendosur asaj allçi, duke evituar për momentin një ndërhyrje të mundshme kirurgjikale. Në një intervistë për gazetën “Tema”, Ludina tregon për dhunën që protestuesit e opozitës ushtruan jo vetëm ndaj saj, por edhe kolegëve të tjerë, si dhe dëmtimin që i rrezikon tashmë një pasojë të përhershme.
Znj. Sinani çfarë pozicioni keni në Policinë e Bashkiake?
Unë jam punonjëse e Policisë Bashkiake. Kam mbaruar shkollën e lartë në Fakultetin Histori – Filologji, Dega Histori. Aktualisht vijoj masterin për Arkivistikë.
Keni marrë pjesë herë të tjera te protesta te liqeni?
Në të gjitha rastet kur ka pasur protesta aty, kam qenë në shërbim.
Keni pasur probleme gjatë protestave të organizuara?
Gjithmonë ka pasur probleme, sidomos shtyrje, por jo me dëmtime. Këtë radhë protestuesit ishin më të dhunshëm.
Po gjatë protestave të shoqërisë civile, si kanë vijuar ato?
Me shoqërinë civile nuk kemi pasur probleme. Por kur vinin militantët, na shtynin, na gjuanin. Edhe herën e kaluar, ditën e shtunë, na gjuanin dhe nuk e kishin probleme fare që ishin të dhunshëm.
Atë ditë që ndodhi ngjarja ku ndodheshit?
Te Shatërvani, te pjesa ku janë ngritur çadrat e shoqërisë civile.
Çfarë mbani mend? Si nisi?
Në atë vend që isha unë, nuk kisha shumë kolegë afër, pasi Policia Bashkiake ishte fokusuar nga pjesa tjetër ku ishin përqendruar aktivistët, nga ana tjetër, të cilët kishin hyrë edhe brenda gardhit. Brenda rrethimit ndodhnin shumë përleshje dhe këto që ishin përballë meje u turrën komplet për t’u futur në zonë nga ana ku isha unë dhe më shtynë në mënyrë barbare dhe më kanë gjuajtur me shkelma. Prej këtyre goditjeve kam dëmtime të ndryshme në këmbë dhe trup, ku duken ende shenjat e nxira nga dëmtimet. Nga të shtyrat dhe njerëzit të cilët shtynin më kanë përplasur në pemë. Njerëzit që shtynin më mbanin të bllokuar në pemë, ku gjysma e trupit tjetër që ishte e pambështetur mu thye nga forca.
Çfarë ndodhi pas goditjes?
Një kolege e cila më pa, më ndihmoi dhe më dërgoi te makina e urgjencës, dhe shkuam në Urgjencën e Traumës në Spitalin Ushtarak.
Te spitali çfarë ndodhi?
Më futën në një dhomë konsultimi, më bënë grafinë, pasi konstatuan që kishte thyerje klavikulën,vendosën një suport. Më pas janë paraqitur dhe dy kolege të tjera që ishin dëmtuar gjatë protestës.
Ka pasur pretendime nga një foto e publikuar që ishit tre punonjëse të Policisë Bashkiake ulur dhe më pas kryetari kur ju ka vizituar, jeni shfaqur në krevat të shtrira. A mund ta shpjegoni këtë rast?
Ne ishin te Urgjenca e Traumës. Unë që kisha thyerje dhe një vajzë tjetër që kishte shembje nuk shtriheshim dot. Ndërkohë vajza tjetër që kishte dëmtime në kokë po priste doktorin për t’u vizituar. Po të shikoni foton unë jam me dorë të thyer dhe që nuk e lëviz dot. Doktori është duke më shpjeguar se kam pësuar një thyerje, ai ka në dorë grafinë time. Më thotë alternativat për një suport, allçi ose operacion. Më vendosën suportin për momentin, pastaj më vendosën allcicn, pasi nuk ishte i përshtatshëm. Në momentin e fotos së shtrirë sapo kisha vendosur sportin dhe duhej të rrija disa orë në spital për të parë se a mund të rrinte apo të përshtatej qëndrimit i trupit (mbështetja e kockave siç duhej) me suportin. Kryetari i Bashkisë ka ardhur dy orë më pas dhe nuk kishim dijeni që do të vinte. Në atë moment një vajzë më mbante akull te klavikula, pasi kështu më ishte thënë nga doktori.
Po vajzat e tjera që ishin me ty?
Njëra prej vajzave kishte goditje në kokë dhe duhej të rrinte shtrirë për disa orë për shkak se dyshonin për hematomë (mpiksje gjaku) dhe ndaj duhej të mbahej në vëzhgim. Kurse vajza tjetër kishte shembje shpatulle.
Diskutime rreth kësaj post