E shoh që të kam lënë dy ditë duke pritur para kompjuterit me zemër në dorë. Më fal, po s’ka internet në shtepi vëllai. As Iphone. Mezi gjej lekët për internet kafe.
Gjithsesi e lexova emailin dhe kam përshtypjen se e ke nisur emailin në adresën e gabuar.
Une jam Mateoja që është nxënes i mirë, ai qe i ka notat e mira. Është Mateoja tjetër ai që të duhet ty. Ai që zihet dhe përfundon në komisariat 2 herë në javë, çdo javë. Ai mund t’i çojë reformat përpara bashkë me ty. Unë s’të duhem për asgjë. Jam thjesht një nxënës i mirë, që marr ca nota të mira dhe që në fund do të përfundoj kamarier me diplomë. S’bëj dot reforma unë ashtu siç i do ti. Se ty për reformat të duhet një si Ilir Beqaj apo Arben Ahmetaj, dmth duhet një çun i shkathët. Po edhe deputet nuk bëhem dot se s’kam cilësitë e duhura, e ke parasysh?
Unë Italinë, Hollandën, Belgjikën i njoh vetëm në hartë. Dhe “miellin” e di akoma se është produkt ushqimor. Unë edhe një herë që isha aplikant i vetëm tek Zyra e Punës për duartrokitës kongresi, më thanë që kisha dalë i dyti. Se s’kisha eksperiencat e duhura, s’kisha qenë asnjëherë në fushatë.Kështu që më ler mua dhe merr atë Mateon tjetër. Se ai e di mirë ku bie Italia, Hollanda, Belgjika. Di ça është mielli, ça është bari, si zbërthehet “vegla”, si vidhet një bankë, si i shpëtohet shtetit që mos të kapi kur vjedh. Ai është tamam çun i shkathët. Bën fiks për atë punë që të duhen ty…për reformat e gjeneratës tjetër. Unë do të mbaroj shkollën dhe, shpresoj ishalla deri atëherë t’ju jetë rritur çik rroga kamarierëve, dhe do të filloj kamarier. Po s’iu është rritur rroga kamarierëve, do ta provoj njëherë ne call center. Po s’doli gjë as aty,
me këto cilësi që kam unë dhe me 10at që kam në diplomë, i bie që të mbetem pa punë. Kështu që do të provoj një herë fatin në Gjermani.
Se aty kam dhe babain dhe vëllain e madh. Se që ta dish ti, ne na ndjek budallalliku si familje. Dhe ata kanë qenë budallenj si puna ime, lexuan gjithë jetën, morën 10a në shkollë dhe në fund përfunduan në kamp refugjatësh në Gjermani. Edhe unë do t’i ndjek pas. Kështu, kështu Edo. Po të duhet adresa e atij Mateos tjetër, më thuaj të ta nis. Ai nuk të vonon shumë me përgjigjet se ka Iphone 7S. Përgjigjet menjëherë.
Më shkruaj po të duhet.
Të fala Mateo
Diskutime rreth kësaj post