Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me propozim të ministrit të Drejtësisë, i fali sot denimin e mbetur Nazime Vishës, e dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Tiranës, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Në relacionin që shoqëron dekretin, presidenti arësyeton se e dënuara ka kryer më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë dhe i mbetet për të vuajtur edhe 3 vite, 9 muaj, e 21 ditë burgimi. Në llogaritjen e vuajtjes së dënimit janë konsideruar dhe uljet e dënimit të fituara nga paraburgimi, nga ligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe nga ligji “Për dhënie amnistie”.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit në ushtrimin e të drejtës së faljes për të dënuarën Nazime Beqir Visha, kam mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret e ligjit “Për faljen”, si dhe faktin sipas të cilit falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, dhe jepet në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, e kur dënimi i vuajtur ka arritur qëllimin edukues dhe riintegrues. Tek kërkuesja vlerësova gjithashtu pendimin e thellë, sjelljen e saj si e dënuar, arsyetimin ligjor dhe propozimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë që justifikon faljen, aresyeton Nishani.
Për të gjitha këto arsye vendosa që në mbështetje të nenit 92 gërma “b” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të neneve 11 dhe 12, të ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, të dekretoj faljen e pjesës së dënimit të mbetur, të të dënuarës Nazime Beqir Visha.
Diskutime rreth kësaj post