Një ditë përpara shqyrtimit të ligjit për pronat nga Gjykata Kushtetuese, ministri i Drejtësisë u shpreh se, pezullimi i tij do të kishte pasoja katastrofike.
“Pezullimi do të ishte katastrofik për vet pronarët. Bllokohen deri në 25 milionë dollarë, që mezi janë caktuar sot nga shteti për të funksionuar. Së dyti bllokohen mbi 20 mijë hektarë tokë për kompensim fizik, që nuk kthehen. Së treti bllokohen 11 mijë dosje që nuk janë shqyrtuar asnjëherë dhe 26 mijë vendime që nuk janë dhënë asnjëherë”, tha Manjani.
Seanca e së premtes do të jetë e mbyllur, ndaj Manjani i ka bërë publike shpjegimet ligjore të Ministrisë së Drejtësisë.
“Po e theksoj se, e drejta për të pezulluar aktet normative të Parlamentit… Gjykatën Kushtetuese nuk e autorizon Kushtetuta, por ligji i saj, që ka qenë një debat i hershëm dhe kjo është pjesë e reformës në drejtësi gjithashtu. Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të pezullojë akte. Kjo është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga A-ja te ZH-ja, në çdo pikë e çdo presje”, shtoi më tej Manjani.
Gjykata e Strasburgut vazhdon të penalizojë shtetin shqiptar ndaj dhe – për Manjanin, – pronave u duhet dhënë menjëherë një zgjidhje.
“Ne duhet t’i japim edhe një përgjigje Strasburgut, që vazhdon të na ndëshkojë. Në datën 7 prill unë kam njoftimin tjetër, kur pritet një set tjetër vendimesh që do të ndëshkojnë shtetin shqiptar, duke prekur taksat e të gjithë popullit”, deklaroi ministri i Drejtësisë.
Këtë deklaratë të ministrit të Drejtësisë, Presidenti i Republikës e cilësoi presion publik të Qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“Presioni politik i një qeverie ndaj Gjykatës Kushtetuese të vendit është një akt i paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar, – thuhet në reagimin e Nishanit. – Presidenti i Republikës, si palë ankimuese, i kërkon gjykatës të mbrojë Kushtetutën. Për Presidentin, ligji do ta thellojë konfliktin midis individit dhe shtetit, e për rrjedhojë do të vijojnë penalizimet nga Strasburgu”.
Diskutime rreth kësaj post