Nga Eduart Zaloshnja
Fatos Lubonja ka mbi 15 vjet që shkruan pa pushim për nevojën e shkundjes nga jashtë të sistemit politik shqiptar. Sipas tij, partitë politike në Shqipëri kontrollohen nga një kastë oligarkësh, disa prej të cilëve kontrollojnë edhe botën e mediave dhe të krimit. Zgjidhja që ai sugjeron është lindja e një lëvizje të re politike, jashtë sistemit aktual, të pavarur nga kjo kastë oligarkësh, e cila ta shkundë sistemin.
Lubonja e ka parë këtë ide të tij të realizohet në Greqi, ku një lëvizje trockiste (Syriza) arriti të fitonte pushtetin, duke sfiduar dy partitë e mëdha tradicionale. Por përkundër shpresave të Lubonjës, ajo lëvizje nuk arriti t’i sfidonte deri në fund oligarkët – sfidoi oligarkët grekë, por u gjunjëzua para oligarkëve të Europës, të cilët zotërojnë bankat që i kshin dhënë miliarda euro kredi Greqisë.
Pavarsisht mundësive të vogla praktike të realizimit të idesë së Lubonjës, teorikisht, ajo mbetet një ide e vlefshme. Krijimi i një lëvizje të re politike, të pavarur financiarisht nga njerzit që kanë ndërtuar e ndërtojnë pallate shumëkatshe atje ku nuk duhet të ndërtohet, do t’i vlente shkundjes së sistemit.
Ben Blushi ka 15 muaj që ka folur për një tjetër lloj shkundje – shkundjen nga brenda sistemit. Në emër të mbrojtjes së interesave të njerzve të thjeshtë (përkundër të oligarkëve), ai ka kërkuar të zgjidhet në krye të PS-së, me parimin një anëtar – një votë.
Blushi po e sheh të realizuar idenë e tij në dy partitë kryesore amerikane, ku kandidatë si Trump dhe Sanders, po sfidojnë kandidatët tradicionalë, fushatat e të cilëve financohen kryesisht nga oligarkët. Trump-i po i sfidon oligarkët duke qenë vetë një oligark – ai thotë se nuk ka nevojë të financohet nga askush (pra, nesër nuk do të varet prej oligarkëve), dhe se po i përdor paratë e tij që të vijë në pushtet, për të përmirësuar jetën e amerikanëve të thjeshtë (jo të emigrantëve etj.) Ndërsa Sanders-i është një socialist modest, i cili po i sfidon oligarkët, duke u bazuar në kontribute të vogla të miliona e miliona amerikanë të thjeshtë. Ai thotë se synon të vijë në pushtet për të përmirësuar jetën e amerikanëve të thjeshtë (përfshirë emigrantët etj.)
Dhe Blushi ynë nuk është as oligark, si Trump-i, e as i financuar nga kontribute të vogla të dhjetra mijrave shqiptarëve, si Sanders-i. Ai synon t’i zerë vendin Ramës, duke e akuzuar atë se është bërë rob i oligarkëve që marrin koncensione dhe favorizime fiskale nga qeveria, por nuk ofron asnjë garanci se ai vetë nuk do të jetë nesër i varur prej tyre. Të paktën për këtë arsye, edhe sikur Blushi të arrijë të bëjë garë reale me Ramën për kreun e PS-së, nuk ka gjasa të ketë sukses.
Në kushtet aktuale, gjasat për një lëvizje të re politike, që do të sfidonte status kuonë politike shqiptare, duken fare të vogla (Bojaxhiu dha shenja me kandidimin e tij të pavarur në Tiranë, por lëvizja politike e premtuar prej tij nuk është bërë e gjallë). Dalja e një Trump-i brenda PD-së, apo e një Sanders-i brenda PS-së, gjithashtu nuk duket në horizont.
Në horizontin e afërt, fati i pushtetit në Shqipëri duket se do të përcaktohet nga pozicioni që do të zërë Meta në zgjedhjet e ardhshme. Berisha i ka dërguar sinjale publike se, në qoftë se LSI-ja pozicionohet në mes (jashtë koalicionit të PS-së), ai do t’i “sugjerojë” Bashës që të bëjë koalicion paszgjedhor me Metën, siç bëri vetë në 2009-ën. Nga ana tjetër, Taulant Balla, zëdhënësi de fakto i Ramës, i bëri thirrje Metës në kongresin e PS-së (për të mos thënë lutje), që të rrijë në koalicionin aktual edhe në zgjedhjet e ardhshme. Numrat e votave që ka marrë LSI-ja në zgjedhjet e ndryshme tregojnë se të dyja këto thirrje janë të justifikuara elektoralisht – qysh nga 2005-sa, votat e LSI-së kanë përcaktuar se kush është bërë kryeministër i Shqipërisë, apo kryebashkiak i Tiranës.
Dhe pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ne do të shohim se oligarkët që ndërtojnë aty ku s’duhet ndërtuar do të pozicionohen pranë kryeministrit të rradhës – qoftë ky Rama, Meta apo Basha. Për lëvizjen politikë që ëndërron Lubonja, ndoshta duhet pritur edhe shumë vjet…
Diskutime rreth kësaj post