TIRANE, 21 Mars
Në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Greqi, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati është pritur sot nga Presidenti, Prokopis Pavlopulos.
Gjatë takimit Prokopis Pavlopulos, ka deklaruar se Greqia kërkon të ketë marrëdhënie më të mira me fqinjët dhe me Shqipërinë ndërsa kërkoi që të presë emigrantët ashtu siç Greqia priti shqiptarët në vitet 1990.
“Unë dua të theksoj tre gjëra për ju. Së pari, kërkojmë nga Shqipëria që të kontribuojë në trajtimin e problemit të refugjatëve, në të njëjtën mënyrë si Greqia u soll me emigrantët shqiptarë.Së dyti, të respektohen të drejtat e plota të njeriut sa i përket minoritarëve tanë në Shqipëri. Mos harroni se Greqia është sjellë mirë me bashkësinë shqiptare të vendosur këtu në Greqi. Kërkojmë dhe ne të njëjtën gjë bazuar në të drejtat ndërkombëtare të emigrantëve” tha presidenti grek.
Pavlopulos theksoi gjithashtu se Greqia kërkon marrëdhënie të mira me fqinjët, ndërsa theksoi se shteti i tij është në favor të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Greqia po kërkon të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe kjo është provuar në shumë raste. Kjo është dëshmuar gjatë periudhës të Shqipërisë në NATO, por edhe bazuar në faktin që Greqia e mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha kreu i shtetit të Greqisë.
Teksa u ndal tek çështja e varrezave të ushtarëve grekë, Pavlopulos theksoi se duhet një zgjidhje e përbashkët.
Presidenti grek kërkoi rifillimin nga puna sa më shpejtë të komisionit dypalësh për këtë çështje.
Por për ministrin Bushatin, çështja e ushtarëve grek është e lidhur pandashmërisht me kapitullin e luftës së dytë botërore.
“Ju me të drejtë iu referuat të rënëve në Luftën e dytë Botërore dhe jam shpresë plot që me homologun Kotsias do të avancojmë në abrogimin e ligjit të luftës midis dy vendeve për të na dhënë mundësinë të mbyllim kështu, çështjet kapitullit historik të Luftës së Dytë Botërore”, ka deklaruar ministri Ditmir Bushati, duke shtuar se Shqipëria dëshiron të bëjë hapa përpara në disa çështje të karakterit historik,që në disa dekada nuk janë adresuar.
Lidhur me krizën e refugjatëve, ministri i Jashtëm theksoi se ksenofobia dhe vetmia janë vlera të huaja për shqiptarët dhe se për këtë krizë duhet një bashkëpunim më i gjerë dhe jo një zgjidhje e njëanshme.
Diskutime rreth kësaj post