Abdeslam në gjykatë “Do t’ju tregoj gjithçka. Mos më ekstradoni në Francë!”
Policia nuk është lodhur shumë për të nxjerrë informacione nga Salah Abdeslam. Njeriu më i kërkuar për sulmet e Parisit, gjatë marrjes në pyetje rrëfeu se ishte nisur të hidhte veten në erë në “Stade de France”, por pastaj kishte kthyer mendje.
26-vjeçari është i gatshëm të flasë e të tregojë çdo gjë që di, por me një kusht: “Mos më dërgoni në Francë”. Kjo ishte kërkesa e tij për autoritetet. “Më lini të qëndroj në Belgjikë, të gjykohem në Bruksel”.
Arratinë, – siç pohon vet ai, – Abdeslami, i kërkuar me qiri nga forcat franceze e ato belge të sigurisë, e kaloi në Bruksel. “Nuk jam larguar fare prej këtej”, thotë atentatori, që të paktën 4 javët e fundit i kishte kaluar në strofkën e tij në rrugën “Dries”.
Bashkë me të kanë qëndruar në të njejtin vend edhe Amin Choukri, i kërkuar si bashkëpunëtor, dhe Mohamed Belkali, një prej koordinatorëve të masakrës së Parisit, i cili u vra gjatë blicit policor të së martës.
Një shtëpi ku qëndrohej në errësirë e ku Choukri dhe Belkali zbrisnin me radhë për të blerë ushqime. I vetmi që nuk lëvizte fare ishte Abdeslami, fotot e të cilit policia i kishte shpërndarë kudo, duke e kthyer në një fytyrë që mund të njihej lehtë.
Abdeslami, shtetas francez i lindur në Belgjikë, besohet të jetë kthyer në lagjen “Molenbeek” të Brukselit pak pas sulmeve të Parisit, që morën 130 jetë njerëzish e lanë me dhjetëra të plagosur. Pas arrestimit dramatik, ai po mbahet në një burg të sigurisë së lartë në Belgjikë.
Autoritetet shpresojnë që i riu, i plagosur gjatë ndalimit, të japë informacione më të hollësishme mbi grupin e ithtarëve të ISIS-it, që organizuan masakrën e kryeqytetit francez, financimin e tij dhe planet e thurura në vazhdim.
Pas arrestimit të 26-vjeçarit, Franca vendosi të dërgonte më shumë trupa në kufi, të cilët, siç sqaroi ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve, do t’u bashkohen mbi 5.000 policëve të mobilizuar pas episodeve tragjike të 13 nëntorit.
Diskutime rreth kësaj post