Ben Blushi është pritur me duartrokitje në Kongres ndërsa ka marrë fjalën në podium. Deputeti socialist ka kritikuar ashpër çdo sektor të qeverisjes, duke thënë se fjalët e tij nuk janë opinione, por fakte. Sipas tij, ditën që Rama u bë kryeministër, u punësua vetë por socialistët kanë mbetur pa punë. Blushi bëri thirrje për zgjedhje duke thënë se e fton Ramën në garë. Ai theksoi se kjo do të ishte në nderin e socialistëve dhe të secilit kandidat. “Ka njerëz që ndryshojnë parimet për partitë. Ka njerëz që ndryshojnë partitë për parimet” – tha Blushi duke cituar Churchill.
Fjala e Blushit me shkurtime, e zbardhur nga JavaNeWs.al
Keni ardhur sot në Tiranë për të marrë në dorë partinë tuaj. Sikurse ju, edhe unë kam ardhur si njeri i lirë mes njerëzve të lirë.
Ajo që dua të them sot është se ne jemi bashkëpronarë të një prone me emrin Partia Socialiste e Shqipërisë. E tillë do të mbetet gjer në fund, por PS si çdo trup ka shqisat e saj. Barazia është zemra e saj, bashkimi është muskuli, e ardhmja është ecja dhe drejtësia është dora e saj. Liria dhe vetëm liria është shpirti i PS. Ne kemi një detyrë: Ti mbajmë këto shqisa në harmoni.
Si mund ta ndryshojmë ne vendin tonë dhe të bindim djem e vajza të mos braktisin Shqipërisë? Ka vetëm një mënyrë: Duke mos i ikur vetes tonë, duke mos e rrëmbyer Partinë Socialiste. Në këtë parti, si në çdo parti, ka një shumicë dhe një pakicë. Ka një shumicë absolute që kërkon një parti të përbashkët për të gjithë. Ka dhe një pakicë relative që kërkon një parti për vete dhe vetëm për vete. Unë kam ardhur sot në emër të kësaj shumice që mund të jetë e dhunuar, por po pret aty që të çlirohet. Është një shpirt i zënë rob. Ne do ti’i japim mundësi kësaj shumice të flasë e të votojë me votë të lirë.
Unë dua të them disa gjëra të vërteta sot. A jemi të barabartë ne sot? A po i japim dikujt më shumë fuqi, a po i japim disave më shumë pushtet? A ka shkelje në jetën e PS dhe deformime? A mund të fajësohet në fund fare se flasin në emër të kësaj të vërtete? E vërteta në PS po mbytet.
Një pakicë e pavotuar po detyron një shumicë ta pranojë atë si shumicë. Nëse kjo shumicë ka një meritë, ajo i duhet njohur. Kjo meritë është pengmarrja e partisë.
Nëse do më pak borxh publik, më shumë punësim, rritje pagash je shumë më shumë armik i partisë. Nëse nuk do njerëz me precedent penal në parti, je miku i armikut.
Të jesh apo të kesh? Kjo është çështja sot në PS. Këto pra nuk mund të jenë rregullat e një partie, por të një padrejtësie që nuk e pranoj. Kjo ka ndodhur vetëm nga arroganca dhe besimi delirant se të gjitha votat janë të një njeriu.
Kush e solli PS në këtë deformim? Ai ka një emër dhe quhet Edi Rama. Ditën që ai erdhi në pushtet, PS pushoi së qëni. Edi Rama mori një punë, për të lënë partinë pa punë.
Nuk është oponion por fakt që Edi Rama është i vetmi në Europë që ka një mandat 7 vjeçar. Referendumet nuk bëhen për persona, por vetëm për çështje. Ndryshimi statusor që do të bëjmë sot nuk do të ketë fuqi prapavepruese. Në PS janë futur njerëz më precedent dhe prej tre vitesh nuk ka asnjë rritje rroge. Këto nuk janë opinione, por fakte. Arsimi i mesëm në Shqipëri nuk është i detyrueshëm siç duhet të ishte, që shëndetësia falas nuk është bërë, që çmimi i energjisë elektrike është rritur… E pra, nuk janë opinione por fakte.
Unë kam shumë fakte të tjera që mund t’ua them, por do të luftoj deri në fund që Partia dhe Shqipëria të mos jetë kështu siç janë. Zgjedhjet në PS po pengohen sepse nuk duan të shohin kush është shumica dhe kush është pakica. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa zgjedhjet i duhen PS sot.
Ju falenderoj për durimin dhe ju ftoj për zgjedhje dhe të marrim në dorë Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Diskutime rreth kësaj post