Kongresi i PS-së mund të vulosë rrugën e tretë të Ramës, duke miratuar “revolucionin” e të majtës shqiptare, prej së kuqes te lejlaja. Historia e të majtës, prej themelimit si një forcë që thërriste për revolucion fshatar kundër bejlerëve, te partia që mbron koncesionin privat mbi shtetin
Kongresi i sotëm i PS-së do ta shënojë jo pak fatin politik të Edi Ramës. Ndërsa ai është tashmë mes liderëve të së majtës shqiptare që fillon me Fan Nolin, kalon përmes ferrit diktatorial të Enver Hoxhës, zhvendosjes drejt qendrës dhe stilit italian të Fatos Nanos, kryeministri do të kalojë në kongres një statut që synon kalimin te social liberalizmi dhe Rruga e Tretë e Tony Blair. Lejlaja është ngjyra e re dhe mund të bëhet zyrtare nëse programi politik i kryeministrit votohet dhe nëse rivali i tij Ben Blushi i vetmi që ka shanset politike për ta ndryshuar këtë mund, ta sfidojë. Kalkulimet politike nuk tregojnë një risk të madh të kryeministrit në këtë sipërmarrje.
E majta shqiptare ka kaluar shumë gjatë këtij rrugëtimi nga Noli te Rama, nga socializmi demokratik që ishte një variant gati komunist i Nolit te social liberalizmi i Ramës ka patur një peizazh të gjerë kaosi ideologjik ku janë përshirë qëndrime kontradiktore pa fund. Janë përkrahur politika konservatore në lidhje me shoqërinë dhe politika ekstremisht të majta në lidhje me reformën e tokës, si në rastin e Nolit apo janë përkrahur reforma liberale në dhënien e koncesioneve dhe reforma socialiste si rasti i taksës progresive te Rama, janë përkrahur ide të marra si shpallja e Shqipërisë një vend ateist nga Enver Hoxha dhe dënimi i homoseksualitetit si vepër penale. Pra ka patur kontradikta dhe nonsense të pafundme. Disa janë diktuar nga rrethanat, disa nga konteksti kulturor, por shumica nga përdorimi politik dhe epshi për pushtet. E majta në Shqipëri, si kudo, i ka njohur thuajse të gjitha ngjyrat, që njihen si të sajat në spektrin politik. Ajo ka lëvizur nga ekstremi stalinist në skajin social liberal, duke mos lënë pa u përshkuar nga socialdemokracia apo socializmi.
E majta e Nolit
Gjurmët e para të së majtës gjenden në parlamentin e viteve 20-të, pak pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 1912. Prifti Ortodoks Fan Noli, një ndër personazhet më me shumë ngjyra të jetës politike shqiptare mund të konsiderohet babai i saj. Përkthyes i Shekspirit, një njeri që kishte pak respekt për parlamentin dhe që nga ana tjetër frymëzohej majtas për të bërë ndryshime të mëdha deri te përmbysja e kastës drejtuese të vendit. Nga njëra anë, thellësisht fetar dhe në anën tjetër frymëzues i përplasjeve të ashpra dhe i pari që thërriti në kushtrim fshatarët e punëtorët për “të skuqur lumenjtë”.
Nga fundi i vitit 1921 dhe fillimi i 1922-shit, si rezultat i një krize të thellë, grupimet kryesore politike të asaj kohe u shpërbënë, gjë që solli një rigrupim të forcave në parlament. Ahmet Zogu dhe elementë të tjerë të lidhur me të morën drejtimin e Partisë Popullore, që filloi të quhej Partia Qeveritare; ajo përfaqësonte tashmë krahun konservator.
Ndërsa Fan Noli dhe deputetët progresistë që bënin pjesë në fillim në Partinë Popullore, si dhe në Partinë Përparimtare (kjo e fundit ndërkaq u shpërnda) formuan Partinë Demokratike, ose grupin e Opozitës, emërtim ky që u përdor për herë të parë në seancat e tetorit 1922. Në grupin e opozitës u përfshinë Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Sulejman Delvina, Ali Këlcyra. Këta mund të quhen politikanët e parë të majtë të Shqipërisë.
Në vitin 1924 ata organizuar një revolucion që rrëzoi qeverinë e Ahmet Zogut. Kryeministër u bë Fan Noli. Idetë e tyre janë qartësisht të majta, sidomos parë nga konteksti i asaj kohe, ndonëse kishin paqartësi dhe mosmarrëveshje edhe mes tyre. Noli dhe ndjekësit e tij kërkonin një reformë të thellë të tokës, de-bejlerizmin e vendit dhe futjen e Shqipërisë në një drejtim socialdemokrat ku shteti ka rol të madh dhe ndërton shtetin modern sekular. Ata kërkuan ndihmë te Bashkimi Sovjetik, Shqipëria ishte ndër të parat vende që e njohën shtetin e Leninit, të cilin bota nuk e pranonte dhe morën njohje prej tij.
Socialdemokracia e Mit’hat Frashërit e Ali Këlcyrës
Qeveria e Nolit u rrëzua vetëm pas 6 muajsh dhe protagonistët kryesorë të saj ikën në ekzil. Idetë e majta u artikuluan gjerësisht prej Ali Këlcyrës në ekzil, i cili shkruante në gazeta të ndryshme në Itali dhe në Francë. Ali Këlcyra vinte nga familja e madhe e bejlerëve të Këlcyrës por doli kundër interesave të shtresës së tij. Ai drejtoi organizatën Bashkimi Kombëtar, së bashku me patriot të tjerë si: Mustafa Kruja, të cilët ishin gjithashtu në ekzil. Në vitin 1942 e majta e Ali Këlcyrës merr formë zyrtare pasi ai dhe Mit’hat Frashëri themelojnë partinë e Ballit Kombëtar një parti nacionaliste me program tipik socialdemokrat. Por kjo pjesë e të majtës shqiptare u transferua djathtas, kjo edhe pse e majta i fshiu këto personazhe gjatë diktaturës dhe sepse gjatë viteve të pluralizmit, pas 1990-ës, Partia Socialiste e Shqipërisë nuk i ka njohur për pjesë të trashëgimisë. As Ali Këlcyra dhe as përpjekjet e tij apo Luigj Gurakuqit e Frashërit nuk janë të njohura si pjesë e historisë. Kjo me gjasë ka ndodhur për shkak se Partia Socialiste vjen nga partia e Enver Hoxhës, e cila i persekutoi egërsisht të majtët e parë dhe i fshiu ato prej historisë së saj.
Komunistët e Spanjës
Pas rënies së qeverisë së Nolit, e majta në vend pranoi si të sajat vetëm idetë komuniste, të cilat u dendësuan pas vitit 1930. Kominterni, që drejtonte lëvizjen komuniste botërore nga Moska dërgoi në Shqipëri Koço Tashkon, i cili ishte ndër themeluesit e grupit komunist të Korçës. Një tjetër i ardhur nga Kominterni ishte Ali Kelmendi, i cili kishte marrë pjesë në revolucionin e Nolit si luftëtar. Lëvizja komuniste në Shqipëri pas vitit 1930 ka edhe personazhe të tjerë të rëndësishëm, si: Llazar Fundo, Zef Mala apo Sejfulla Maleshova. Mala themeloi grupin komunist të Shkodrës, me ndihmën edhe të Vasil Shantos, Qemal Stafës etj. Personazhe si Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, që u bënë të famshëm më vonë për rolin gjatë diktaturës, ishin pjesë e trupave vullnetare shqiptare në Spanjë. Një provë e internacionalizmit që kishte mbërthyer edhe të majtën shqiptare.
Enver Hoxha dhe stalinizmi
Pas vitit 1944 partia komuniste, si bartësja e vetme dhe ekstreme e të majtës lëvizi nga stalinizmi te maoizmi që ishin disa nga variantet më të tmerrshme të komunizmit. Të drejtuar prej diktatorit Enver Hoxha, një prej figurave më të errëta të vendit, komunistët instaluan një prej diktaturave më të dhunshme në Europë. Ata u krijuan në vitin 1941 nën drejtimin e jugosllavëve të Tito-s, që bashkuan grupet komuniste, sidomos ato të Korçës dhe Shkodrës. Partia Komuniste nisi prej kësaj, një luftë të egër edhe ndaj çdo komunisti apo ideje të majtë që nuk gjendej brenda saj. Kështu ajo përndoqi Sadik Premten dhe Anastas Lulon, që u përkisnin grupeve të komunistëve të rinj dhe të zjarrit, por më e rëndësishmja ajo përndoqi socialdemokratët e Ballit Kombëtar. Komunizmi i Hoxhës ngriti në kult luftën e klasave, duke shfarosur gjithë kastën e pronarëve të tokave e tregtarëve në vend. Duke pasur nevojë për një histori e një rrënjë ai mori prej Nolit vargjet revolucionare të “skuqes së lumenjve”, duke i vënë në jetë, ndërsa i fshiu atij pjesën e priftit dhe e çoi vendin në ateizëm. E gjithë kjo periudhë u shoqërua me një luftë të fortë brenda vetë radhëve të komunistëve. Krerët dhe figurat më të rëndësishme të historisë së saj u ekzekutuan.
Partia e Nanos
Pas vitit 1990 partia socialiste nisi një përpjekje për të reformuar veten, duke iu qasur ideve dhe formave të organizimit të socialistëve europianë. Kjo qe e vështirë, por futja në PS e shumë profesorëve dha efekt. Pas vitit 1997, Fatos Nano qeverisi si socialdemokrat sa u takon ideve politike. Nga ana e saj, e majta e Nanos nuk bëri ndonjë përpjekje për t’u ndarë nga e shkuara, por PS e tij imitoi deri në perfeksion sikletet e të majtës italiane, duke i dhënë partisë demokraci të brendshme. Vetë Nano kaloi mes burgut politik, ardhjes në pushtet pas një revolte popullore për shkak të piramidave financiare dhe rrëzimit për shkak të fraksioneve të brendshme. Vetëm gjatë kohës së tij e majta prodhoi katër kryeministra, mes të cilëve figura si Ilir Meta, tani kreu i LSI dhe një nga rivalët më të fortë të socialistëve në garën për votat e të majtës. Nano “u mohua” prej forcës së tij politike, ditën që lëshoi postin në drejtim të saj në duart e Edi Ramës.
PS e Edi Ramës
Edi Rama nisi gradualisht një lëvizje që synonte ta shkëpuste Partinë Socialiste nga socializmi apo socialdemokracia dhe ta zhvendoste drejt asaj që quhet rruga e tretë apo social liberalizmi, një variant i socializmit i ideuar nga Tony Blair. Prej zgjedhjeve të 2009-s, kur shpalli se nuk ishte “përtej të majtës dhe të djathtës”, deri në 2013 kur erdhi në pushtet, duke premtuar jo vetëm reforma të ngjashme me Blair por edhe një sistem fiskal të ngjashëm me atë që ky i fundit vendosi në Britani.
Kjo përpjekje vazhdon ende teksa ka një përpjekje të gërshetohet një politikë fiskale me shpenzime jo të vogla dhe me taksa progresive me një qasje për t’i dhënë më shumë fuqi sektorit privat se sa atij shtetëror. Edhe politikisht, Rama, ndryshe nga Nano, po kërkon një model më stabël brenda socialistëve. Laburistët nuk vuajnë nga sindromat e thyerjeve e përmbysjeve të mëdha, si ato të së majtës italiane. Statuti që pritet të miratohet në Kongresin e sotëm mund ta vulosë atë si një prej liderëve më jetëgjatë të së majtës shqiptare dhe po ashtu firmos shndërrimin e PS-së në një parti të Ramës. Nga ana tjetër, po ashtu mund të krijojë rrugën për ndarjen e re apo përmbysjen e zakonshme të forcave të majta. Kjo vlen nëse Ben Blushi, që po qëndron shumë më majtas në retorikë mund t’ia dalë me sfidën e tij.
Nga ana e tij, Rama ka “vjedhur” diçka prej fillimeve Noliane. Fjalimet e tij kanë të njëjtën larushi stilistikore dhe po ashtu të njëjtën përmbajtje “revolucionare” e herë-herë të dhunshme, po ashtu si Noli, ai duket si sipërmarrës i ndryshimesh gjigante, që mund të çojnë edhe në rënie. Një rrugë që është parashikuar për të më shumë se njëherë. Por Rama nuk është aq Nolian dhe ndryshe nga ky i fundit ka mjetet për ta shmangur këtë. Kongresi i sotëm është një prej këtyre mjeteve, që synon bashkimin final të PS-së rreth kryeministrit.
MAPO
Diskutime rreth kësaj post