Nga Mimoza Hafizi
U bë kohë që ne, një grup deputetësh dhe antarësh të tjerë të Partisë Socialiste, po kërkojmë zgjedhjen e Kryetarit të Partisë me parimin një antar-një votë. Parim i shkruar prej 10 vitesh në statutin tonë.
Nuk na jepet Zgjedhja, por na ofrohet një Referendum!
Pavarësisht nga pyetja që ende nuk dihet se si do shtrohet, thelbi i tij duket që do jetë kërkesa për të marrë apo legalizuar ushtrimin e mandatit të Kryetarit të PS, pa zhvilluar zgjedhje të brendshme në parti.
Por, a mundet që Referendumi te zëvendësojë Zgjedhjet e brendshme në parti?
Referendumi është proces që zhvillohet për problemet që prekin parimet programore dhe statutore. Pra, referendumi është thirrja për votë e lidhur me një problem, kurse zgjedhja për funksionet përfaqësuese të partisë është votë e kërkuar për një njeri. Një njeri që fiton përmes një gare së paku mes dy kandidatësh. Ballë për ballë, me argumente. Ne po kërkojmë në krye të partisë një njeri, jo një problem!
Problemet që shtrohen në një referendum i përkasin qëndrimeve dhe zgjidhjeve që do të duhet të mbahen dhe adoptohen në të ardhmen. Rrjedhimisht, rezultati i një referendumi nuk ka dhe nuk mund të ketë ndikim mbi çështjet dhe faktet e së shkuarës. Për pasojë, referendumi nuk mund të ketë fuqi prapavepruese, cilido qoftë rezultati i tij. Ne sot kërkojmë zgjedhje për Kryetarin e Partisë, për t’i dhënë fund një situate që na mban peng prej tre vitesh.
Referendumi, edhe pse përbën mjetin më demokratik të ushtrimit drejpërdrejt të sovranitetit, nuk mund të përdoret për të kufizuar të drejtat themelore të njeriut. Në rastin e referendumit të propozuar në partinë tonë, me gjasa socialistëve do u kërkohet të shprehen për të hequr dorë nga e drejta që e kanë dhe që duhej ta kishin ushtruar prej 3 vitesh. Nga e drejta për të zgjedhur Kryetarin e tyre me parimin një antar-një votë. Si i tillë, ky referendum do ishte antikushtetues, sepse kufizon të drejtën themelore për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, e drejtë kjo e pandashme, e patjetërsueshme dhe e padhunueshme. Ai bie ndesh me ligjin për partitë politike, ku zgjedhjet e brendshme në parti janë parim themelor i organizimit.
Pra mjeti më demokratik, referendumi, kërkohet të përdoret për një çështje jodemokratike, që kufizon të drejtën themelore të fituar, të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, e drejtë që nuk mund të vihet në diskutim, por thjesht duhet respektuar dhe garantuar.
Historia na sjell shembuj drithërues referendumesh, ku e drejta demokratike e votës së gjerë është shpërdorur për qëllime antidemokratike. Vetëm klikoni në Wikipedia, për të parë se çfarë ka ndodhur në mesin e shekullit të kaluar në Europë.
Prandaj dhe ne do ngulmojmë deri në fund të kërkojmë atë që na përket, zgjedhjen për Kryetarin e Partisë, me parimin një antar-një votë. Edhe në Kongresin e së shtunës.
Diskutime rreth kësaj post