Cosa Nostra e famshme siçiliane në radhët e saj historikisht ka pranuar vetëm italianë.
Pasi me anë të lidhjeve familjare ajo ndjehej e padepërtueshme.
Mjafton të përmendim se anëtarët e rinj të Cosa Nostra-s duhet të jenë patjetër deri në 7 breza italianë, nuk duhet të kenë asnjë lloj lidhjeje, as farefisnore dhe as miqësore me policinë apo prokurorinë, nuk duhet të jenë homoseksualë, nuk duhet të shkojnë me gratë e të tjerëve, etj.
Por këtë herë ka bërë një ndryshim duke futur në radhët e saj edhe një shqiptar.
Një emigrant shqiptar i quajtur Erion Prendi figuron mes 62 të arrestuarve si anëtarë të organizatës më të madhe mafioze në Itali, “Cosa Nostra”. Të arrestuarit vepronin kryesisht në zonën e Palermos. Aktiviteti i tyre kriminal shtrihej nga trafiku i drogës, gjobëvënia etj.
Prendi bënte pjesë në klanin e Toto Rinës, bosi i bosave të mafias, që është cilësuar edhe si mafiozi më i madh që ka pasur historia e mafias italiane.
Arrestimi
Erjon Prendi, 26 vjeç u arrestua dje në Palermo të Italisë, gjatë një aksioni blic të Antimafies Italiane, e cila kishte nisur një hetim disavjeçar për shkatërrimin e një rrjeti mafioz që trafikonte drogë, armë e femra. Aq të fuqishëm ishin anëtarët e këtij rrjeti mafioz, saqë përfaqësuesit e antimafies italiane u thanë mediave të shtetit fqinj se disa prej të arrestuarve ishin të implikuar drejtpërdrejt ose tërthorazi me vrasjen spektakolare të Xhovani Falkones, gjykatësit italian, i cili u hodh në erë me një sasi të madhe tritoli. Deri më tani akuza zyrtare që rëndon mbi shqiptarin është ajo e pjesëmarrjes në organizatë kriminale, pasi momentalisht vëmendja e hetuesve është drejtuar nga kapot.
Mes të arrestuarve, janë dy kapot e moshuar: “Xha Marino” dhe “Xha Gregorion”. Nisur nga mosha e tyre, Mario Marchese, 77 vjeç dhe Gregorio Agrigento, 81 vjeç, argumentohet edhe anëtarësimi i tyre i hershëm në Cosa Nostra dhe cilësohet si besnikët e Toto Riinës. Gjithsej u arrestuan 62 persona. Aktivitetin mafioz ata e ushtronin duke përdorur kode të fshehta, shkëputura nga librat, apo kur u referoheshin fjalëve në dialektin e Italisë Jugore. Deri më tani, ndër vite, në Itali janë arrestuar me dhjetëra shqiptarë që kanë pasur lidhje me mafien italiane, por emri i Erjon Prendit bën përjashtim për faktin se ishte një “ushtar” i “bosit të bosëve”, pra Rinës.
Riti i anëtarësimit
Një anëtar i mundshëm i “Cosa Nostra”-s, para betimit ndiqet me kujdes dhe testohet për të parë nëse është i përshtatshëm për t’u bërë pjesë e organizatës. Pasi testohet ai çohet në një vend të veçuar në prezencë të tre “burrave të nderit” të familjes, ku më i vjetri prej tyre i thotë se mafia ka për qëllim të mbrojë të dobëtit dhe të eliminojë fëlliqësitë.
Shpohet gishti i dorës së kandidatit dhe gjaku hidhet në imazh të shenjtë.
Më pas imazhit i vihet flaka dhe anëtari i ardhshëm i mafies duhet ta mbajë në duar flakën deri sa të fiket krejtësisht duke u betuar, ndërkohë që do t’u qëndrojë besnik parimeve të “Cosa Nostra-s” dhe duke pranuar solemnisht: “U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim”.
Pas betimit, dhe vetëm atëherë, “burri i nderit” prezantohet me kreun e familjes, së cilës do t’i përkasë.
Detaje nga Cosa Nostra
B
BASHKËPUNËTOR
Një mafie s’është asgjë pa bashkëpunëtorët e saj. Këta të fundit formojnë pjesën më të madhe të trupave të saj: Familja vendore Carleone nuk i kalon 40 anëtarë të pranuar, kurse bashkëpunëtorët e saj, padyshim, janë dhjetë herë më të shumtë në numër. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në Nju York, ku pesë familje mendohet se kanë të gjitha së bashku nga 600 deri në 650 “ushtarë” e drejtues e më shumë se 6 mijë bashkëpunëtorë. Bashkëpunëtorët shërbejnë për të realizuar lidhjet mes celulës kriminale dhe shoqërisë.
F
FAMILJE
Në shoqërinë tradicionale mesdhetare, familja është gjithçka, kurse individi s’është asgjë. Buscetta është i irrituar nga liberalizimi i fëmijëve të mafiozëve amerikanë të gjeneratës së vjetër, sikurse Carlo Gambino apo Joe Bonnano që flasin akoma siçiliançe. Llogariten që në vitin 2002 të ishin 190 “familje” mafioze në Siçili me 5200 anëtarë, 89 nga të cilët në provincën e Palermos me 3200 anëtarë. Secila prej tyre është e lidhur fort me një territor të caktuar.
K
KONTROLL
Mafia siçiliane është tërësisht katolike dhe i kushtohet një kulti dëlirësie e modestie femërore, ajo ka edhe shenjtoren e saj mbrojtëse, Zonjën e Shenjtë, që festohet me 25 mars, madje mafiozët nuk kryejnë vrasje të premteve. Mafiozët nuk kanë ekzistencë sociale endogjene, gati endogamike. Pikësëpari sepse bëmat e tyre, aktet, fjalët i janë nënshtruar në mënyrë të vazhdueshme një kontrolli social, rigoroz, për të matur pajtueshmërinë e tyre me statusin “njeri i nderuar”.
M
MBROJTJE
Kur në një territor të dhënë kuadri juridik është i paqartë, policia është e paaftë dhe drejtësia joefikase, kur mosbesimi përgjithësohet e kur shteti s’mund ose nuk do të garantojë pasurinë e qytetarëve, këta të fundit u drejtohen për ndihmë formave të fshehta të mbrojtjes, shërbimeve kriminale, për të rregulluar konfliktet, për të marrë paratë e dhëna hua apo për të bërë vlershme kontratat. Kjo ofertë për mbrojtje private del nga krimi i organizuar dhe mafia.
N
NARKOTRAFIK
Të kuptosh lidhjet midis mafiozëve dhe trafikut të lëndëve narkotike është vërtetë diçka themelore, shumë e rëndësishme. Pa një vizion të qartë të kësaj dukurie komplekse, është e pamundur të nisësh ndonjë luftë kundër drogës e për më tepër ta fitosh këtë luftë. Trafiku i lëndëve narkotike nuk ishte një aktivitet mafioz që në fillim të tij, e s’ka se si të ishte. Ndërkombëtar, madje ndërkontinental, narkotrafiku s’mund të përshtatet me pamjen e një prove mafioze.
NJ
NJERI I NDERUAR
Njeriu i nderuar është alfa dhe omega e gjithë filozofisë mafioze. Si politika dhe çdo organizim tjetër njerëzor, edhe mafia mbi të gjitha, përbëhet nga njerëzit. Në këtë rast, “njerëzit e nderuar”. “Njeriu i nderuar” nuk duhet t’i tregojë askujt përkatësinë e tij, në rast të tillë dënohet me vdekje. Askujt që s’është mafioz, madje, as priftit ku rrëfehet, e aq më pak një mafiozi tjetër, nëse ai nuk ka qenë prezantuar formalisht nga një tjetër mafioz.
O
OMERTA
Fjala Omerta, sikurse mafia, është me prejardhje të paqartë, por nëse etimologjia e termit është e paqartë, kuptimi i saj është i qartë. Omerta është shumë më tepër se një injeksion për të heshtur, madje më shumë si ligj i heshtjes, është një mënyrë e vërtetë të jetuari, një kulturë, elementi qendror i vizionit mafioz të botës, një lloj mbrujtje e dyshimit dhe misterit. Me anë të fragmentarizmit të detyruar, sistematik e konstant të informacionit që s’duhet kurrë jashtë mafies, sigurohet stabiliteti.
R
REKRUTIM
Të hysh në mafien siçiliane është mjaft e vështirë. Pikësëpari, është detyrim absolut të jesh siçilian nga nëna dhe babai, i seksit mashkull dhe katolik. Ndërkohë nuk pranohen djemtë e policëve dhe ata të gjykatësve, djemtë e paligjshëm ose nga prindër të ndarë, djemtë ose vëllezërit e grave “të lehta”, komunistët apo djemtë e militantëve komunistë, homoseksualët, djemtë e “njerëzve të nderuar” të vrarë nga mafia, në mënyrë që të shmanget hakmarrja brenda mafies.
S
STRUKTURA
Thelbësore është se “Cosa Nostra” është një organizatë e vërtetë. Ajo është e organizuar në struktura hierarkike me majën e saj dhe me epiqendër në Palermo, ku është Selia e organit drejtues të shoqërisë, e quajtur “kupolë” apo “komision”. Por arkitektura mafioze është në ndryshim të vazhdueshëm, sipas oportuniteteve ekonomike dhe financiare, sipas nivelit të goditjes së shtetit e metodave të shefave. Ishulli i Siçilisë është quajtur “krahina” nga mafiozët. Instanca e lartë mafioze është “komisioni krahinor”.
V
VRASJE
Mafia siçiliane vret ndonjëherë edhe shumë, por gjithmonë në rastet kur i ka harxhuar të gjitha mjetet e tjera. Sidoqoftë mafia nuk vret kurrë pa e peshuar mirë këtë gjë, asnjëherë nën peshën e një emocioni apo në kundërshtim me arsyen e shëndoshë. Përkundrazi, me përjashtim të rasteve të rralla, vrasja kryhet me kujdes të plotë, sipas kushteve, rregullave të protokollit. Për çdo vrasje është i detyrueshëm të merret miratimi nga shefi i kantonit territorial ku do të kryhet vrasja./Tirana Observer/
Diskutime rreth kësaj post