Bashkia e Tiranës do të nisë së shpejti procesin e konsultimeve dhe prezantimin për qytetarët të projektit të madh të shndërrimit në pedonale të sheshit “Skënderbej”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi sot një takim me ndërlidhësit e Njësive Administrative 9, 10 dhe 11, ku ka bërë të ditur se, ashtu siç u veprua për një sërë projektesh të tjera që kanë nisur të zbatohen, bashkia do të zhvillojë dëgjesa me banorët e Tiranës, kryesisht ata që preken direkt nga rindërtimi i sheshi “Skënderbej”, të cilëve do t’u prezantojë e diskutojë projektin.
“Për çdo projekt të madh, ashtu siç bëmë për këndin e lojërave dhe buxhetin e këtij viti, do ta prezantojmë në çdo njësi administrative. Kështu do të veprojmë edhe me projektin e sheshit “Skënderbej. Kjo është arsyeja pse po përgatisim një kalendar dhe pasi të bëjmë një prezantim qendror të projektit të sheshit “Skënderbej”, do të shkojmë në çdo njësi”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, theksoi se “I kemi diskutuar në nivel njësie me qytetarët e interesuar jo vetëm projektin e këndit të lojërave, por edhe projektin e Unazës së Vogël, Unazën e Madhe, Bulevardin e Ri, si dhe çdo rrugë, kopësht e shkollë”.
“Sheshi “Skëndërbej” është një projekt fantastik. Do të përfshijë pemë, gurë, bimësi nga e gjithë Shqipëria dhe që do të përfaqësojë unitetin tonë kombëtar”, shtoi Veliaj.
Gjatë këtij takimi, Veliaj i njohu ndërlidhësit edhe me disa nga punët e tyre kryesore të përditshme, duke vënë theksin sidomos te zgjedhja e administratorëve të pallateve dhe se bashkia ka nisur një projekt pilot në një grup prej 20 pallatesh në Fushën e Aviacionit, nga ecuria e të cilit do të varet edhe vijimi i procesit të zgjedhjes dhe funksionimit të administratorëve në të gjithë Tiranën.
Diskutime rreth kësaj post